Drita Telaku-Qosaj, pediatre në repartin e pulmologjisë së kësaj klinike, thotë se ka metoda të tjera për ekzaminim dhe diagnostikim, që e zëvendësojnë bronkoskopin.
“Ky aparat ndihmon, por, fatmirësisht, malinjitete nuk kemi [ose] kemi tepër rrallë dhe ka procedura të tjera diagnostikuese. Është CT-ja dhe të tjera, nuk është vetëm bronkoskopia”, thotë Telaku-Qosaj.
Pediatri Hajdin Ymeri, i cili prej vitesh punon në repartin e pulmologjisë në Klinikën e Pediatrisë, thotë se në rrethana normale, bronkoskopi është i domosdoshëm.
“Një aparaturë e tillë është ndihmesë në diagnostikim. Ai aparat përdoret te rastet e fëmijëve me të cilët mund të bashkëpunosh në proces – do të thotë te mosha 5, 6, 7 vjeç e tutje dhe potencialisht i mbron nga rrezatimet me rëntgen”, thotë Ymeri.
Klinika e Pediatrisë në QKUK nuk është e vetmja që posedon aparatura që nuk i shfrytëzon.
Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës i kanë thënë më herët REL-it se bashkëpunojnë me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për blerjen e aparaturave, të cilat “profesionistët shëndetësorë i konsiderojnë të nevojshme”.
Por, një problematikë që e karakterizon sistemin shëndetësor të Kosovës prej vitesh, është edhe mungesa gjithnjë e më e madhe e stafit adekuat, apo largimit të tij.
Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2022, rreth 200 mjekë të profileve të ndryshme e kanë braktisur sistemin shëndetësor dhe kanë emigruar kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas kësaj ode, të larguarit ankohen kryesisht për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.
/TV Arbëria