Thatësira rekord e vazhdueshme në Somali mund të ketë vrarë deri në 43,000 njerëz vitin e kaluar, dhe gjysma e tyre ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç, sipas një raporti të publikuar nga qeveria dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara.
Hulumtimi i publikuar të hënën shënoi përpjekjen e parë për të vlerësuar vdekjet në mbarë vendin në një krizë që ekspertët paralajmërojnë se është më e rëndë se thatësira e fundit e madhe e vendit në 2017 dhe 2018, shkruajnë mediat e huaja, përcjell TV Arbëria.
I udhëhequr nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, studimi paralajmëroi se shkalla e vdekjeve mund të rritet në gjysmën e parë të 2023 pasi parashikonte vdekjet totale për këtë periudhë nga 18,100 në 34,200.
“Këto rezultate paraqesin një pamje të zymtë të shkatërrimit që u solli fëmijëve dhe familjeve të tyre thatësira”, ka thënë Wafaa Saeed e UNICEF-it teksa prezantoi raportin në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.
Ndërsa Mamunur Rahman Malik, një përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Somali, tha se komuniteti ndërkombëtar përballet me “një garë kundër kohës” për të parandaluar vdekjet që janë të shmangshme dhe për të shpëtuar jetë.
“… Ne do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundja sesa nga uria dhe kequshqyerja të kombinuara nëse nuk veprojmë tani. Kostoja e mosveprimit tonë do të thotë që fëmijët, gratë dhe njerëzit e tjerë të cenueshëm do të paguajnë me jetën e tyre, ndërkohë që ne pashpresë dhe të pafuqishëm jemi dëshmitarë të tragjedisë”.
OKB thotë se pesë sezone radhazi pa shi në Somali kanë lënë pesë milionë njerëz me mungesë akute ushqimore dhe gati dy milionë fëmijë në rrezik të kequshqyerjes.
/TV Arbëria