Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Hovenier: Kurti të punojë me ne për të zbatuar Asociacionin

​Hovenier: Kurti të punojë me ne për të zbatuar Asociacionin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti, gjatë takimit të sotëm me ambasadorë e ka informuar trupin diplomatik për pikëpamjen e tij për marrëveshjen e arritur në Ohër të shtunën.

Hovenier ka kërkuar që kryeministri Kurti të punojë me ta për të përmbushur obligimet që ka marrë Kosova, për të zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Hovenier: Kurti të punojë me ne për të zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe

“Kryeministri sapo e informoi trupin diplomatik për pikëpamjen e tij për marrëveshjen e arritur në Ohër të shtunën. Ai pati rastin t’i tregonte trupit diplomatik për atë që ishte arritur. Ai shpalosi vizionin e tij shumë të qartë për të parë të zbatuar këtë marrëveshje të cilën ne e mbështesim fuqishëm. Kemi një kërkesë të qëndrueshme ndaj kryeministrit që të punojë me ne për të përmbushur obligimet që ka marrë Kosova, për të zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është pjesë e gjithë këtij procesi, dhe sot me kryeministrin të gjithë biseduam me të për rëndësinë për të cilën ai u pajtua për të çuar përpara zbatimin si të marrëveshjes bazë, të gjithë elementëve të saj, ashtu edhe të aneksit të zbatimit.”, është shprehur ai.

Ambasadori amerikan ka thënë se e mirëpresin edhe marrëveshjen e 27 shkurtit edhe aneksin e zbatimit të arritur, me ç’rast ka potencuar se është hap përpara për Kosovën.

Hovenier: Mirëpresim edhe marrëveshjen e 27 shkurtit, edhe aneksin e zbatimit

“Nuk kam asgjë për të thënë përtej asaj që është thënë nga sekretari Blinken, por ne mirëpresim të dyja, edhe marrëveshjen e arritur më 27 shkurt, edhe aneksin e zbatimit që është arritur, mendojmë se është një hap shumë i rëndësishëm përpara për Kosovën. Dhe një nga gjërat që bën është se e vendos këtë zbatim fuqishëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe kështu Kosova ka obligime ndaj BE-së për të bërë gjëra të caktuara dhe po ashtu ka edhe Serbia. Dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian të kenë një mekanizëm me anë të të cilit kanë bërë detyrimet të vlerësohen në përputhje me rrethanat.”, është shrehur ai.

Ai ka theksuar se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më pak e rëndësishme se si është përfunduar marrëveshja, por “është shumë e rëndësishme që marrëveshja është përfunduar, siç ka qenë”.

Duke folur për Asociacionin, ai ka thënë se pritshmëria e Shteteve të Bashkuara mbetet ajo që është, që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të mbeten të detyrueshme.

Hovenier: Asociacioni, të gjitha marrëveshjet e mëparshme mbeten të detyrueshme

“Për Shtetet e Bashkuara është më pak e rëndësishme se si është përfunduar marrëveshja, por është shumë e rëndësishme që marrëveshja është përfunduar, siç ka qenë. Dhe nëse dëgjoni deklaratën e përfaqësuesit të lartë Borrell në Ohër, ai e bëri të qartë se për këtë është rënë dakord dhe kështu e konsiderojnë edhe Shtetet e Bashkuara. Sa i përket çështjes së Asociacionit, kjo është përmendur mjaft shumë, thjesht do të jem shumë, shumë i qartë; pritshmëria e Shteteve të Bashkuara mbetet ajo që është, një nga elementet e marrëveshjes bazë është që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të mbeten të detyrueshme dhe të vlefshme, që do të përfshinte marrëveshjet e arritura në marrëveshjen e Brukselit për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se ka një rrugë përpara dhe në zbatimin e kësaj marrëveshjeje bazë të arritur në shkurt, dhe aneksit të zbatimit të saj të arritur në Ohër, do të shohim lëvizje përpara lidhur me asociacionin.”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress