Ndonëse ka nisur takimi trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, analisti politik, Fidan Ukaj nuk pret që të ketë ndonjë dakordim. Sipas tij, mund të ketë një përafrim dhe një nënshkrim brenda vitit 2024, por nuk do të jetë e afërt pasi Serbia e ka vendosur si kusht të parë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.
Ukaj tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq mund të akuzojë palën shqiptare të Kosovës si palë e cila nuk po e zbaton marrëveshjen e Asociacionit.
Ukaj: Marrëveshja nuk do të jetë e afërt
“Marrëveshja mund të ketë një përafrim dhe një nënshkrim brenda vitit 2024, por nuk do të jetë e afërt për fajin e Serbisë e cila e ka vendosur si kusht të parë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, duke e vendosur si pikë para planit gjithëpërfshirës… Mund të ketë hapa konkretë drejt pikave të caktuara, mirëpo pres që sërish presidenti serb, Aleksandër Vuçiq të barrikadohet në formimin e Asociacionit dhe të provojë që të akuzojë palën shqiptare të Kosovës si palë e cila nuk po e zbaton marrëveshjen e Asociacionit si pikë që pala serbe e ka vendosur të parën“, theksoi Ukaj.
Duke folur për marrëveshjen, Ukaj përmendi edhe nenin 7 të planit franko-gjerman për zyrtarizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, që sipas tij, bie ndesh edhe me Kushtetutën e vendit.
Ai tha se nëse kjo pikë do të shkojë në interpretim në Gjykatën Kushtetuese, do ta hedhin poshtë.
Ukaj: Zyrtarizmi i statusit të Kishës serbe në Kosovë bie ndesh edhe me Kushtetutën e vendit
“Zyrtarizmi i statusit të Kishës serbe në Kosovë bie ndesh edhe me Kushtetutën e vendit sepse shteti i Kosovës është i përcaktuar si shtet laik dhe asesi fetar. Kjo pikë e marrëveshjes nëse do të shkojë në interpretim në Gjykatën Kushtetuese do ta hedh poshtë zyrtarizmin e statutit të Kishës serbe në Kosovë”, tha Ukaj.
Ndërkaq, sa i përket kundërshtimeve që kanë shprehur dy partitë opozitare, PDK dhe LDK në lidhje me planin evropian, Ukaj tha se këtë e kanë bërë për të përfituar ndonjë votë nga të pakënaqurit që kanë votuar Lëvizja Vetëvendosje.
Ai bëri thirrje dy partive të rreshtohen përkrah institucioneve të vendit dhe jo përkrah kryeministrit dhe LVV-së.
Ukaj: PDK dhe LDK të rreshtohen përkrah institucioneve të vendit
“Kjo është si mundësi e këtyre dy subjekteve politike për të përfituar ndonjë votë nga të pakënaqurit të cilët kanë votuar VV dhe shfrytëzimi i një momentumi për një temë nacionale për përfitime elektorale është i pasinqertë. Varësisht se kush është në pushtet dhe kush është kryeministër i vendit, tema është nacionale dhe është për të mirën edhe të fëmijëve të tyre dhe shumë më mirë do të ishte që këto dy subjekte politike të rreshtohen përkrah institucioneve të vendit dhe jo përkrah kryeministrit dhe LVV-së“, tha Ukaj.
Kujtojmë se, pak para takimeve me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrel dhe emisarin Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë para mediave se në Ohër ndodhet për qëllim të mirë, për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Mirëpo, ka shtuar se derisa nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit nuk mund të ketë marrëveshje.
Ndërkaq, shtetet më të rëndësishme perëndimore i kanë kërkuar dy palëve që të arrijnë dakordësinë për planin evropian, madje për këtë kanë premtuar benefite politike e ekonomike për të dy palët.
/TV Arbëria