Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Muhamet Ramadani, nga stërvitjet në lëndinë te medalja e artë evropiane

Muhamet Ramadani, nga stërvitjet në lëndinë te medalja e artë evropiane

Nga Portugalia ku u mbajt Kampionati Evropian për hedhjen e gjyles, atleti nga Kosova Muhamet Ramadani u kthye me medalje të artë. Ai më këtë rast theu edhe rekordin personal me distancën prej 19.28 metrash.

Por, për ta shijuar këtë sukses, rruga nëpër të cilin kaloi Ramadani nuk ishte fare e lehtë. Ai thotë se me këtë sport filloi të merrej për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Mbipesha ishte arsyeja kryesore që e shtyu atletin nga Mitrovica që të merret me këtë sport dhe sot suksesshëm po e përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ramadani: Me këtë sport fillova të merrem për shkak të mbipeshës

“Me këtë sport kam filluar para shtatë viteve edhe ka qenë arsyeja mbipesha dhe kam qenë i sëmurë nga bronkitit. Kemi vazhduar, babi është njoftuar me një trajner, e ka njohur dhe i ka thënë ai mund të vijë, të ushtrojë atletikë edhe kemi vazhduar aty rreth një vit e gjysmë dhe e kemi parë pas një viti e gjysmë që po na pëlqen, e humba peshën dhe erdha gati në normalitet, filloi të na pëlqejë dhe nisëm të merremi deri më sot… Gjylja ka shtatë kilogramë e 260 gramë ku është një peshë mjaftë e madhe ku pa peshë të trupit nuk mund ta hedhësh dhe kjo ka ndikuar që duhet ta kesh një peshë të trupit më të madhe dhe të kesh një konstrukt, të jesh i gjatë dhe të kesh fuqi më shumë”, tha Ramadani.

Me përkushtimin maksimal, Ramadani stërvitet gjashtë orë në ditë, punë kjo që filloi t’i shpërblehej menjëherë me medalje vendore, ballkanike dhe evropiane.

Ramadani: Medalja e artë më jep motiv shtesë për suksese të reja

“Në Kosovë kemi filluar menjëherë të fitojmë medalje, por jashtë na është dashur të punojmë rreth tre vite për të fituar medaljen e parë, ka qenë e bronztë në Kampionatin Ballkani për U20. Në atë kohë kam qenë 16-vjeçar dhe e kam zënë vendin e tretë deri në moshën 19-vjeçare… Kjo është ndër medaljet më të rëndësishme edhe pse është Kampionati Evropian që ka qenë në U20, por kjo e ka një rol mjaftë të madh tek medaljet e mia sepse është medalja e parë e artë në kategorinë e seniorëve të rinj me U23 dhe është një motiv i imi shtesë për të vazhduar tutje”, theksoi tutje Ramadani.

Medaljet e njëpasnjëshme kanë ardhur për shkak të punës së madhe të bërë së bashku me trajnerin dhe babain e tij, Shaban Ramadanin, por në kushte tejet të vështira. Ai stërvitet në një hapësirë të vogël toke që ndodhet prapa shtëpisë së tij ku ndodhet edhe rrethi i gjyles për stërvitje. Këtë hapësirë të vogël Ramadani shpreson që dikush të përkujdeset për ta mbuluar që së paku të mos pengohet nga bora e shiu gjatë stërvitjeve.

Ramadani: Po të kisha kushte më të mira, suksesi do të ishte edhe më i madh

“Për momentin jemi me një rreth të gjyles ku prej aty kemi arritur të gjitha sukseset, por tani shpresojmë që do të rregullohen kushtet. Jemi duke u munduar ta ndërtojmë një ndërtim të thjeshtë ku gjatë dimrit mund të stërvitemi mirë dhe mos të kemi probleme nga bora, shiu, era dhe të vazhdojmë tutje sepse po të kishim këtë vit atë mbulojë ndoshta do të kishim qene me metra edhe më shumë… E kemi dërguar një projekt dhe më ka premtuar që do të më ndihmojnë për mbulojë edhe tani presim këto ditë kemi folur dhe jemi takuar kur e fitova medaljen me presidentin e Komitetit Olimpik (Ismet Krasniqi) i cili na premtoi duke thënë se brenda vitit do ta ndërtojmë dhe shpresojmë që të përgatitemi për vitet tjera”, shtoi ai.

Një medalje më shumë në sirtarët e Ramadanit mund të ishte e renditur sikur Spanja të mos e pengonte udhëtimin e tij në muajin janar të këtij viti për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare.

Pengesa të tilla së fundit pati edhe boksierja Donjeta Sadiku, për të cilën, Ramadani thotë se e kupton se sa është e vështirë.

Ramadani: Kam qenë nën lëkurën e Donjeta Sadikut

“Kam qenë edhe vetë në lëkurën e Donjetës sepse edhe mua nuk më është lejuar pjesëmarrja në Spanjë në janar të vitit 2023 dhe e kam parë sa vështirë është edhe është tepër e rëndë por duhet kaluar edhe atë pjesë dhe shpresojmë që të mos ketë më pengesa të tilla.”, tha ai.

E me shumë emocion dhe krenari, medaljet e të birit të tij i numëron Shaban Ramadani. Ai thotë se është krenari e madhe që së bashku ta prezantojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ramadani: Krenar që po e prezantojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare

“Të jesh protagonist i një medalje të artë në Kupën e Evropës me atlet tëndin është diçka e jashtëzakonshme, mirëpo kur te jesh protagonist me të birin tënd, me fëmiun tënd, është diçka ekstra, mirëpo edhe shumë krenar që po arrijmë ta prezantojmë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare duke e ngritur flamurin para 40 shteteve…Deri më tani është pesë herë kampion i Ballkanit, U18 dhe U20, është tri herë kampion i Evropës me U18, U20 dhe U23 me senior të rinj. Vitin e kaluar ka qenë nënkampion i Evropës në këtë garë dhe ka qenë nënkampon i Lojërave Mesdhetare.”, theksoi ai.

Objektivin e radhës, atleti Muhamet Ramadani e ka që ta rrëmbejë medaljen e artë në Kampionatin Evropian që mbahet në Finlandë gjatë këtij viti.

/TV Arbëria

Powered by WordPress