Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se një dialog i hapur mes Kosovës dhe Serbisë është mjeti i vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve dhe që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe që çon drejt një të ardhmeje të begatë për të gjithë rajonin.
Në një konferencë që u shoqërua edhe me probleme teknike, Kovaçevski u shpreh se me kërkesën e tij ka pasur takime të ndara dypalëshe me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq duke treguar edhe arsyet e këtyre takimeve.
Kovaçevski: Dialogu është i rëndësishëm për të gjithë rajonin
“Doja të theksoja personalisht rëndësinë që ka ky takim, për ne si shtet fqinj me Kosovën dhe Serbinë, dhe t’u uroj suksese në dialogun e tyre. Sepse besoj fuqishëm se është e nevojshme dhe e vetmja rrugë që të çon drejt zgjidhjes në botën demokratike të shekullit të 21-të. Dialogu është mjeti i vetëm për konsolidimin e rajonit dhe për integrimin evropian të të dy vendeve”, deklaroi kryeministri maqedonas.
Kovaçevski tha se inkurajon palët e përfshira të jenë konstruktive dhe të kenë një ditë produktive në Ohër.
Kovaçevski: Dialogu është rruga drejt të ardhmes së begatë
“Një dialog i hapur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura të aspekteve të ndryshme, është i një rëndësie të veçantë për stabilitetin rajonal, ruajtjen e paqes dhe një rrugë që të çon drejt një të ardhmeje të begatë, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjithë rajonin. Kontributi i Bashkimit Evropian duhet të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, tha Kovaçevski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shprehu mirënjohjen edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
/TV Arbëria