Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Lirohet nga akuza ish-zyrtari policor i akuzuar për marrje ryshfeti

Lirohet nga akuza ish-zyrtari policor i akuzuar për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten ka shpallur aktgjykim lirues për ish- zyrtarin policor, Sokol Alihajdari, i cili akuzohej për marrje ryshfeti.

Aktgjykimi lirues është shpallur të premten nga gjyqtari Agim Kuçi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo gjykatë merr aktgjykim lirues pasi që nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, tha gjykatësi Kuçi.

Kurse lidhur me shpenzimet e procedurës penale, ai tha se të njëjtat do të bien në barrë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në fund gjykatësja Kuçi njoftoi palët e pakënaqura se ndaj këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e kalimit të kopjes së këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 dhjetor 2016, në dispozitivin e parë, thuhet se i akuzuari Sokol Alihajdari në cilësinë e zyrtarit policor në stacionin Policor Jugu në Prishtinë, në Njësinë e Hetimeve në Sektorin e dhunës në familje, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në atë mënyrë që derisa ishte duke trajtuar raste të dhunës familjare të akuzuarit Ahmet Gërxhaliu dhe të bashkëshortes së tij B.S, i pandehuri Alihajdari në fillim të muajit maj të vitit 2014, derisa i akuzuari Ahmet Gërxhaliu ishte në Stacionin Policor Jugu, akuzuari Alihajdari i kishte kërkuar ryshfet shumën e parave prej 300 euro e pastaj në afërsi të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë (QKUK), ka pranuar ryshfet shumën e të hollave të lartcekur prej 300 euro nga i akuzuari Gërxhaliu, duke i thënë që të hollat të ia vendoste në xhepin e pantollave.

Tutje, sipas të njëjtit dispozitiv thuhet se i pandehuri Gërxhaliu ia kishte dhënë shumën e të hollave të lartcekur të akuzuarit Alihajdari, që ta trajtonte rastin kundër ish-gruas së tij lidhur me djalin e tyre, kurse gjatë muajit qershor të vitit 2014, i akuzuari Alihaidari derisa kishte qenë tek shtëpia e të akuzuarit Gërxhaliu në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, lidhur me rastin e dhunës familjare në mes të akuzuarit Gërxhaliu dhe bashkëshortes se tij, i akuzuari Alihajdari nga i pandehuri Gërxhaliu ka kërkuar dhe pranuar ryshfet shumën e të hollave prej 40 euro, e duke i thënë se nenën e ka të sëmurë, dhe pastaj në muajin gusht të vitit 2014, ka kërkuar dhe pranuar shumën e të hollave prej 200 euro, duke i thënë se i nevojiten për pushim vjetor.

Me këtë rast Alihajdari akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfetit” nga neni 428 par. 1 të KPRK-së.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Ahmet Gërxhaliu, i ka dhënë ryshfet zyrtarit policor Sokol Alihajdarit, zyrtar policor, në atë mënyrë që në afërsi të QKUK-së, i ka dhënë ryshfet në fillim te muajit maj të vitit 2014 shumën e të hollave prej 300 euro, duke ia vendosur ne xhepin e pantollave të akuzuarit Sokol Alihajdarit, kurse gjatë muajit qershor të vitit 2014 i ka dhënë ryshfet shumën e të hollave prej 40 euro derisa i akuzuari Alihaidari ishte në shtëpinë e të akuzuarit të lartcekur për të trajtuar rastin e dhunës familjare, si dhe në muajin gusht të vitit 2014, i ka dhënë ryshfet shumën e të hollave prej 200 euro të akuzuarit Alihajdarit për të shkuar në pushim vjetor.

Me këtë i njëjti ngarkohej se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 429 par. 1 të KPRK-së.

/TV Arbëria

Powered by WordPress