Një tifoz futbolli, baba i tre fëmijëve, i cili u burgos pasi vrapoi në fushë dhe grushtoi yllin anglez, Jack Grealish, është gjetur i vdekur.
Tifozi i Birmingham Cityt, Paul Mitchell sulmoi Grealish në stadiumin “St Andrew’s” kur ai po luante për Aston Villan, përpara se të tërhiqej zvarrë nga fusha në mars të vitit 2019.
32-vjeçari, i cili u burgos për 14 javë, por u lirua pasi kreu katër javë dënim, u gjet i vdekur në një pronë në Birmingham në fillim të kësaj jave, bënë të ditur “The Sun”.
Kushërira e Mitchell, Lucy Mitchell, i tha mediumit:
“Paul absolutisht i adhuronte tre fëmijët e tij. Ai gjithmonë kishte një buzëqeshje në fytyrën e tij, pavarësisht se çfarë ndodhte”, tha Lucy Mitchell.
“Ai kishte zemrën më të mirë. Fatkeqësisht, ai do t’i mungojë shumë njerëzve. Ai ishte një njeri shumë popullor. Nuk do të jetë më njësoj pa të këtu”, shtoi më tej Mitchell.
Mitchell u dërgua përsëri në burg në shtator të vitit të kaluar për 12 javë për shkeljen e një ndalimi dhjetëvjeçar të futbollit, kur ai ndoqi ndeshjen e Birmingham kundër West Bromwich Albion dhe vrapoi në pistën e vrapimit për të festuar golin./TV Arbëria