Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë dhe Fondacionin për “Programin e Mjekësisë Fetale për periudhën 2022 – 2025”, sot kanë filluar edhe në praktikë trajnimet që do të shërbejnë veçanërisht në raste kur një grua ose foshnja e pa lindur mund të kërkojë kujdes të specializuar për të arritur rezultatin më të mirë si për nënën ashtu edhe për foshnjën. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
“Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia së bashku me Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë znj. Heleni Vakali, vizituan klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ku po zhvillohen trajnimet praktike në baza ditore në kuadër të programit njëvjeçar në Obstetrikë – Ekografi dhe Mjekësi Fetale si subspecializim apo profil i ngushtë. Përmes njësiteve të mjekësisë fetale: Vlerësohet rrezikshmëria e shtuar e anomalive fetale, konfirmohet diagnoza e anomalive, ofrohen informacione të detajuara rreth rezultateve të mundshme, që përfshin ofrimin e të dhënave shumëdisiplinore nga fillimi i monitorimit të vazhdueshëm të shtatzënive, sipas rastit, deri tek komplikimet e mundshme në lindjet e shumëfishta”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Ministri Vitia theksoi se të gjitha gratë shtatzëna duhet të kenë qasje falas në kujdesin e specializuar, kur është e nevojshme.
/TV Arbëria