Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Besnik Tahiri në selinë e OKB-së, pavarësisht kundërshtimeve nga Rusia e Serbia

Besnik Tahiri në selinë e OKB-së, pavarësisht kundërshtimeve nga Rusia e Serbia

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, javën e kaluar, ka qëndruar në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, duke e përfaqësuar Kuvendin e Kosovës, dhe si anëtar i delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tahiri ka treguar se kishte hasur në vështirësi, pasi Rusia dhe Serbia e kundërshtonin pjesëmarrjen e Kosovës, si joanëtare e OKB-së.

Si anëtar i Komisionit të Këshillit të Evropës për Barazi, Tahiri tha se është e papranueshme që t’i ndalohet pjesëmarrja në këtë sesion, e të cilin e quajti produktiv për Kosovën.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në New York kam qëndruar në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ka qenë një sesion i përbashkët me Këshillin e Evropës, dhe ndoshta është edhe prezantimi i parë i një anëtari të Asamblesë Parlamentare të një shteti të Evropës në OKB. Kemi pasur shumë probleme me marrë qasjen. Për shkak se na pengonin Rusia e Serbia”.

“Mirëpo unë jam në Komitetin që është për Barazi dhe jodiskriminim dhe argumenti ynë ka qenë se si është i mundur mos me pas qasje dikush që është në një Komision të Këshillit të Evropës për Barazi”, tha Tahiri, i cili tregoi se çka është diskutuar aty.

“Atje kam pasur një prezantim rreth çështjes së Kosovës, si dhe kam pas disa takime në OKB dhe në New York. Është tepër me rëndësi që sa më shumë të ketë prezencë të Kosovës në ShBA, pasi që sa më shumë që jemi prezentë e forcojmë tregimin, e tregimi ynë është suksesshëm dhe nuk e lëmë Serbinë dhe armiqtë e Kosovës që ta bëjnë tregimin për ne”, u shpreh Tahiri tutje.

Shefi i grupit të deputetëve të AAK-së thekson se Kosova ka një Kushtetutë dhe ligje të cilat janë në linjë me të gjitha standardet dhe normat ndërkombëtare sa i përket të drejtave të njeriut. Ai shprehet i bindur se shumë shpejt, Kosova do të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës, dhe më pas edhe anëtar i OKB-së.

AAK-ja, partia e vetme opozitare, që e mbështet Marrëveshjen që pritet të nënshkruhet në Ohër – E rifaktorizon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar

Tahiri ka folur edhe për qëndrimin e Aleancës rreth Propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sikurse lideri i partisë, Tahiri thotë se kjo Marrëveshje që pritet të nënshkruhet më 18 mars në Ohër e rifaktorizon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

“Kosova në ShBA shihet si një vend mik, një popull mik e që ka luftu për liri dhe një popull që me të vërtetë në të gjitha aspektet është në vijë me ShBA-në. Pra Kosova është një vend që e sheh marrëdhënien me Amerikën afatgjate, strategjike dhe të përjetshme, edhe në këto vija ata e njohin, megjithatë për shkak të situatës gjeopolitike, luftës në Ukrainë, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, janë shumë të interesuar që ta mbështesin këtë marrëveshje, dhe janë të bindur se plani franko-gjerman për Kosovën i jep një shtytje të madhe Kosovës dhe e rifaktorizon në rrafshin ndërkombëtar, kryesisht në organizatat ndërkombëtare”, thotë Tahiri.

Sipas tij, është e vërtetë që Qeveria Kurti i kishte tensionuar marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në.

“Kjo ka ndodhur. Fatmirësisht tash shihet një komunikim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe opozitës me ShBA-në”, u shpreh ai.

/TV Arbëria

Powered by WordPress