Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Java e Kulturës së Kosovës në Portugali, shpërfaqja e identitetit kulturor

Java e Kulturës së Kosovës në Portugali, shpërfaqja e identitetit kulturor

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka informuar sot për lansimin e Javës së Kulturës jashtë vendit, e cila do të nisë me Portugalinë.

Siç është bërë e ditur në komunikatë, nisma e përbashkët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është marrë me qëllim që të prezantohet skena artistike dhe kulturore e Kosovës te populli i vendeve të ndryshme me program kulturor dhe artistik përgjatë një jave.

Java e Kulturës, siç është potencuar, përfshinë një mori aktivitetesh që synojnë festimin e identitetit të pasur kulturor dhe format e larmishme të artit vendor, duke ia ofruar publikut të huaj një përvojë unike të talentit dhe potencialit artistik nga Republika e Kosovës.

“Me fillim nga data 19 mars deri më 24 mars, aktivitete të shumta kulturore do të zhvillohen në Portugali, përkatësisht në qytetin e Lisbonës, Bragës dhe Portos, duke paraqitur një gamë të gjerë formash arti, përfshirë muzikën, filmin, artet pamore, literaturën dhe gastronominë. Objektivi i ngjarjeve është shpërfaqja e talentit artistik dhe identitetit kulturor të Kosovës, duke synuar nxitjen e lidhjeve ndërmjet artistëve nga Kosova, diaspora dhe atyre në vendet pritëse. Duke e vlerësuar artin si një nga fushat e rëndësishme për të nxitur shkëmbimin dhe mirëkuptimin kulturor midis dy vendeve, synojmë që përmes këtyre aktiviteteve dhe shkëmbimeve, të promovojmë më tej lidhjet e forta midis dy kulturave dhe të hapim rrugë për bashkëpunim të mëtejshëm.”, është bërë e ditur në komunikatë.

MPJD dhe MKRS kanë ftuar të gjithë të interesuarit që t’i bashkohen festimit për trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës gjatë Javës së Kulturës së Kosovës jashtë vendit në Portugali.

/TV Arbëria

Powered by WordPress