Të shtunën më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia do të mbajnë takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.
Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Koha për takimin tilateral nuk është bërë e ditur.
Ndërkaq është bërë e ditur se në fund të takimit do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.
Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.
Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.
Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.
/TV Arbëria