Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Sadiku: Këtë dëshpërim do ta kthej në fuqi dhe medalje

Sadiku: Këtë dëshpërim do ta kthej në fuqi dhe medalje

Për herë të tretë India nuk ia mundësoi Donjeta Sadikut pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare. Kësaj radhe boksieres nga Kosova iu mohua garimi në Kampionatin Botëror të boksit vetëm për shkak se ky shtet nuk e njehë Kosovën si shtet të pavarur.

Angazhimi i institucioneve të Kosovës në këtë drejtim nuk mungoi, por në fund përgjigjja ishte sërish negative.

Sadiku nuk e fsheh zhgënjimin e saj. Ajo thotë se synonte që ta ngriste flamurin e Kosovës duke fituar medalje në Indi.

Sadiku: Synoja ta ngrija flamurin e Kosovës në Indi

“Ky rasti i fundit, moslejimi për pjesëmarrje në Kampionat Botëror ka qenë mjaftë e mërzitshme për mua edhe ka qenë një dëshpërim mjaftë i madh. Kam pritur që të marr pjesë në këtë kampionat dhe synimi im i vetëm ka qenë sigurimi i medaljes me qëllim që ta ngris flamurin në Indi”.

Pjesëmarrja në këtë kampionat pa simbolet e Kosovës, ashtu siç kërkoi India, Donjeta thotë se nuk ishte fare opsion. Ajo gjithashtu paralajmëron se këtë dëshpërim që iu shkaktua do ta kthejë në fuqi dhe medalje në garat e ardhshme.

Sadiku: Këtë dëshpërim do ta kthej në fuqi dhe medalje

“Kur morëm lajmin kam qenë më trajneren time dhe thash që synimi im ka qenë vetëm sigurimi i medaljes, asnjëherë nuk ka qenë në pyetje mbrojtja e titullit ose sigurimi i medaljes mirëpo ka qenë vetëm ngritja e flamurit dhe unë nuk kam qenë e pajtimit që të marrë pjesë pa himn ose pa flamur të vendit tim. Normalisht që këto ditë jam pak e de-motivuar, mirëpo nuk kam kohë për të qenë e dëshpëruar sepse kam gara të tjera dhe këtë dëshpërim edhe këtë padrejtësi do ta kthej në fuqi dhe në medalje dhe këtë ka për t’ua vërtetuar të gjithëve në muajin qershor.“, theksoi ajo.

Ndërsa, trajnerja e saj Mariola Sallauka, thotë se Sadiku ishte tejet e motivuar në prag të këtij kampionati dhe kjo është arsyeja pse zhgënjimi është shumë më i madh.

Sallauka: Jemi të zhgënjyer, Donjeta ishte shumë e motivuar

“Është shumë zhgënjyese për faktin se deri në momentet e fundit ne kemi pritur që do të na konfirmohet pjesëmarrja në Kampionatin Botëror. Gjithë treningun e kemi bërë dhe e kemi kaluar gjatë këtyre muajve ka qenë qëllimi i vetëm për të siguruar medalje dhe për ta ngritur flamurin në Indi. Në njëfarë mënyrë kemi pritur shumë për të marrë pjesë për shkak se Donjetës dy herë i është mohuar e drejta dhe kemi qenë shumë të motivuar, sidomos Donjeta e ka pasur një ndjenjë të jashtëzakonshme për këtë kampionat dhe është vërtetë zhgënjyese.”, theksoi Sallauka.

Përkundër kësaj pengese, Sallauka thotë se synimi i radhës është medalja në Lojërat Olimpike, derisa shpreson që në të ardhmen sportistët tjerë të mos kenë probleme të tilla.

Sallauka: Shpresoj që sportistët tjetër të mos i kenë këto probleme në të ardhmen

“E kemi synimin për kualifikueset që mbahen në qershor, kualifikuese për Lojërat Olimpike. Punën po e vazhdojmë, nuk po ndalemi aspak dhe shpresojmë që ta kualifikohemi dhe të sigurojmë medalje në Lojërat Olimpike…Jam e kënaqur për rëndësinë që i kanë dhënë këtij kampionati institucionet tona dhe shpresojmë që sportistët e Kosovës të mos i kenë këto probleme për shkak se disa vende nuk e njohin Kosovën si shtet sepse po dëmtohen sportistët në këtë rast.”, tha në fund ajo.

/TV Arbëria

Powered by WordPress