Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kryeministri suedez: Finlanda mund të bëhet përpara anëtare e NATO-s

Kryeministri suedez: Finlanda mund të bëhet përpara anëtare e NATO-s

Kryeministri suedez tha të martën se gjasat e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, në dy faza të ndryshme janë rritur, kjo për shkak të qasjes së ndryshme të Turqisë ndaj kërkesave për anëtarësim të këtyre dy vendeve.

Që nga bërja publike e synimeve për t’u bërë pjesë e aleancës, në maj të vitit të kaluar, dy vendet nordike fqinje, Finlanda dhe Suedia, kanë theksuar se do të bëhen anëtare të NATO-s, në të njëjtën kohë.

Por në një konferencë shtypi në Stokholm, kryeministri suedez Ulf Kristersson tha sot se që nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s, që u mbajt në Madrid në muajin qershor, u bë e qartë se rruga e Finlandës drejt anëtarësimit, ka qenë më e qetë dhe se gjasat janë gjithnjë e më shumë që Finlanda të hyjë e para në NATO, pa Suedinë.

“Siç e kanë dëgjuar të gjithë javët e fundit, nuk përjashtohet mundësia që protokollet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës të ratifikohen në faza të ndryshme”, u tha zoti Kristersson gazetarëve.

Të 30 vendet aleate kanë nënshkruar protokollet e pranimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë, por vetëm 28 i kanë ratifikuar ato, përveç Turqisë dhe Hungarisë, që kanë kërkuar garanci nga të dyja vendet.

Për anëtarësimin në aleancë të Stokholmit dhe Helsinkit, kërkohet që të gjitha vendet të bien dakord unanimisht.

Zoti Kristersson theksoi se vendimi përfundimtar ishte në duart e Turqisë dhe se Suedia ishte gati të përballonte një situatë, ku Finlanda të hynte në NATO, pa të.

/TV Arbëria

Powered by WordPress