Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Kurti: Jam optimist se do të arrihet marrëveshja në Ohër, por s’varet vetëm prej meje

Kurti: Jam optimist se do të arrihet marrëveshja në Ohër, por s’varet vetëm prej meje

​Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se plani i zbatimit për propozimin evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër.

Por, ai u shpreh optimist se do të arrihet marrëveshja në takimin e 18 marsit, megjithatë theksoi se kjo nuk varet vetëm nga ai.

Kurti: Unë jam optimist se do të arrihet marrëveshja

” Ne e dimë qëndrimin e Serbisë, por unë duhet t’i referohem asaj që jemi marr vesh…Plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër…Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam, ofruar që edhe në 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme dhe as e interesuar.. Nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, tha Kurti.

Kurti nënvizoi se në takimet që ai ka mbajtur me palën serbe, ka qenë gjithmonë i përkushtuar.

Kurti: Në takimet me palën serbe gjithmonë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ

“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian, me iniciativë franko-gjermane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia dhe aty janë pesë fjali në preambulë, janë 11 nene gjithsej, le ta diskutojmë planin e zbatimit… Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo Zajednicës siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve, në fakt kur kam shikuar tash së fundmi, bashkë me konkluzione që janë vënë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011 deri më 25 gusht të vitit 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe përbën 6 pikat e para të një marrëveshje 15-pikëshe e cila është e 16-ta prej 39”, potencoi Kurti.

Shefi i ekzekutivi kosovar, Albin Kurti tregoi edhe për përgatitje që bënë zakonisht para një takimi të rëndësishëm siç është ai i 18 marsit në Ohër.

Kurti: Përgatitem duke lexuar dokumentet e deritanishme dhe literaturë për negociata

“Me krejt çka mundem përgatitem duke i lexuar dokumentet e deri tanishme por gjithashtu duke lexuar edhe literaturë sa i përket bisedimeve dhe negociatave”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër do të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Gjatë ditëve të fundit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar për implementimin e planit nga propozimi evropian.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress