Kryeministri Albin Kurti duke folur për barazinë gjinore në Kosovë, tha se situata është duke u përmirësuar më shpejtë se kurdo herë më parë.
Megjithatë sipas tij, ka shumë punë për të bërë dhe duhet fokusuar më shumë në zonat që nuk janë urbane dhe “në përgjithësi jashtë Prishtinës”.
Këto deklarime Kurti i bëri në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtëritje të Demokracisë” të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik.
“Nëse shohim institucionet qendrore, mund të thuhet se ka pjesëmarrje të konsiderueshme dhe gjithnjë në rritje të vajzave dhe grave. Nëse shohim universitetet tona, vlen sërish e njëjta. Ka fakultete të shkencave natyrore dhe teknike në të cilat ka më shumë studente vajza se sa djem”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Ai tutje tha se edhe në Qeveri, Presidencë e Kuvend ka pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe të grave.
“Po ashtu vërehet përmirësim i pjesëmarrjes së grave edhe në sektorin ekonomik, pra në biznes, në ndërmarrësi, duke përfshirë edhe pronësinë e grave. Nëse vazhdojmë me këtë trend, gjatë kësaj dekade tejkalojmë vetëm vendet e rajonit”.
/TV Arbëria