Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Ardi Nurellari ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti që bëri ndaj ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq në 20 vjetorin e të vrasjes së tij.
I pari i ekzekutivit e ka konsideruar Gjingjiqin një politikan që sipas tij e qeveriste Serbinë në mënyrë demokratike.
Nurellari përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se është e pakuptueshme përpjekja e kryeministrit Kurti për të rehabilituar e glorifikuar liderë politikë serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste.
“Pas lëvdatave për Oliver Ivanoviqin, kryeministri i Kosovës thur elozhe për ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiç, i cili ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet”, ka shkruar Nurellari.
Ai ka publikuar edhe një letër të cilën Gjingjiq i kishte shkruar kohë më parë Ratko Mlladiqit, të dënuarit si përgjegjës për gjenocidin në Bosnje.
/TV Arbëria