Këshilli i Specializantëve të QKUK-së, kanë protestuar të hënën para administratës qendrore të QKUK-së, për shkak të pagesës së kujdestarive në kundërshtim me Ligjin e Pagave dhe vendimeve që Qeverisë.
Sipas tyre, ky vendim i detyron ata që të punojnë pa pagesë dhe në kundërshtim të vendimit të Qeverisë.
Ata kanë thënë se nuk do të ndalen dhe se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.
Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, tha se protestat nuk do t’i ndalin dhe se do t’i ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Ne sot kemi vendosur për me protestuar kundër vendimit të ShSKUK-së i cili është marr me 1 mars 2023 vendim i cili na detyron neve që të punojmë në kundërshtim të ligjit të punës dhe na detyron që ne të punojmë pa pagesë. Në të njëjtën kohë ajo që është më e rënda ne aspektin penal është që ky vendim është duke na detyruar neve që të punojmë kundër rregullores e cila është miratuar me 3 shkurt 2023. Prej 1 marsit sipas vendimit të ShSKUK-së dhe sipas letrës rekomandues ne do të paguhemi në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai.
E Veton Kurti, specializant i Radiologjisë, kërkoi që këto probleme të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Tha se këto protesta po bëhen pa dëshirën e tyre.
“Çdo dy, tre muaj po kemi këso probleme, ju jeni dëshmitarë të asaj që para dy tre muajve keni qenë këtu për të njëjtin problem. Çdo dy, tre muaj e kemi këtë problem, shpresoj që njëherë e mirë të zgjidhet ky problem sepse edhe ne nuk jemi duke dalë këtu nga qejfi por nga zori. Ne e kemi bërë një kërkesë ndoshta janë duke e shqyrtuar, nuk kemi pasur ndonjë ftesë”, u shpreh ai.
/TV Arbëria