Ndonëse ka kaluar më shumë se një vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë, efekti i saj vazhdon të ndihet ende në rritjen e çmimeve të produkteve esenciale, gjë që po e rëndon xhepin e qytetarëve në Kosovë. Ata kërkojnë nga qeveria rritje të pagave, pensioneve e ndihmës sociale dhe thonë se duhet të shtohet edhe numri i inspektorëve në treg, pasi sipas tyre, ka manipulime me çmime.
Qytetari Fehmi Rexhepi thotë se çmimet e mëdha janë mjaft problematike për të jetuar, derisa shtoi se falë ndihmës së fëmijëve po mund të ia dalin.
Rexhepi: Ne po ia dalim, sepse po na ndihmojnë fëmijët
“Rritja e çmimeve është e papërballueshme sidomos për pensionerët dhe shtresat që janë me ndihmë sociale.. Kemi kërkesë nga qeveria t’i rrisë pensionet dhe ndihmat sociale. Ne po ja dalim, sepse po na ndihmojnë fëmija”, shprehet Rexhepi.
Qytetari Halil Gashi potencon se qeveria duhet të marrë masa për shtimin e inspektorëve në tregje, pasi sipas tij, ka mjaft manipulime me çmime.
Gashi: Qeveria të shkojë dhe t’i kontrollojë çmimet përmes inspektorëve
“Me rritje të çmimeve dhe me këto rroga tona shumë pak mundemi ta kalojmë muajin.. Unë për qeverinë kam kërkesë që të shkojë dhe t’i kontrollojë çmimet përmes inspektorëve, dhe jo t’i lërë si të duan ata. Një bukë 50 centë dhe as 400 gramë nuk është”, thotë Gashi.
Edhe qytetari Izja Avdyli thotë se është e vështirë t’ia dalin me një pagë mesatare.
Avdyli: Është shumë e vështirë të ia dalë për atë që punon këtu dhe merr rrogë mesatare
“Po bëjnë manipulime me çmime, është fakt dhe është shumë e vështirë t’ia dalë për atë qe punon këtu dhe merr rrogë mesatare… Duhet të rriten socialet, pensionet, rrogat në sektorin privat sepse janë shumë të dobëta”, shton Avdyli.
Lidhur me këtë çështje, nga pozita thonë se po marrin masat e nevojshme për t’i ndalë manipulimet me çmimet, porse sipas tyre, duhet ende kohë.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet, njëherit deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja deklaron se kanë propozuar edhe Ligjin për caktimin e çmimeve edhe në produkte esenciale, mirëpo të njëjtin e ka dërguar opozita në Gjykatë Kushtetuese.
Muja thekson se tashmë janë në pritje për provizionet e atij ligji. Sipas tij, ka edhe manipulime me çmime, porse për këtë kanë ndërmarrë masë për shtimin e inspektimeve.
Muja: Ka pasë manipulime në çmim, ka edhe tendenca monopoliste
“Kanë qenë tre masa që kryesisht është përqendruar vëmendja jonë në kontrollin e çmimeve. Si masa e kontrollit të marzhës së fitimit, në të njëjtën mënyrë kemi propozuar po ashtu që e njëjta masë të zgjerohet edhe te produktet esenciale ashtu siç parashihet në ligjin për rezerva shtetërore, mirëpo pasi ka kaluar ligji, opozita e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, pra LDK-ja dhe ende jemi duke pritur për provizionet e atij ligji dhe një masë tjetër është për shtimin e inspektimeve dhe punës së Autoritetit të Konkurrencës, dhe Inspektoratit të Tregut. Në këtë fazë ka pasur manipulime në çmim, ka edhe tendenca monopoliste po ashtu oligopoliste, ka edhe monopole natyrore dhe dora e shtetit është e domosdoshme në këtë fazë, sepse e gjithë kjo bëhet për ta ruajtur përzgjedhjen racionale që duhet ta bëjnë konsumatorët në një treg të lirë dhe në Kosovë është evidente që ndër vite ekzistojnë të sedimentuara monopoli dhe oligopoli, të cilat e kanë keqpërdorur pozitën e tyre dominonte mjerisht në ato produkte më esenciale”, tha Muja.
Ndërkaq, nga opozita kritikojnë qeverinë për mosmenaxhim të mirë në raport me politikat fiskale, derisa thonë se nuk janë duke marrë ndonjë masë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se qeveria nuk ka politika të qarta dhe sipas tij, kjo po e rëndon edhe më shumë xhepin e qytetarëve.
Shala: Qeveria nuk ka politika të qarta
“Qeveria nuk ka politika të qarta, në asnjë rast nuk do të guxonim të pajtoheshim përkundër asaj që është ekonomia e tregut të lirë që ne të pajtohemi që disa çmime bazike kalojnë edhe 25 për qind e deri në 30 për qind të çmimit të inflacionit. Pra, kemi një rritje enorme të produkteve bazë të ekonomisë familjare dhe qeveria është krejtësisht e ftohtë, pa qartësi, pa politika fiskale, pa politika menaxhuese, pa stimulim të politikave prodhuese vendore e kësaj kur i shtojmë se edhe kemi ngritjen e çmimit të energjisë, kjo do të reflektojë ehe te prodhimet vendore… Kjo është jashtëzakonisht e rëndë të përballohet në këtë situatë”, shprehet Shala.
Edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa kritikon qeverinë në lidhje më këtë çështje. Sipas tij, qeveria nuk po ndërmerr hapa të nevojshëm për t’i përkrahur qytetarët.
Mustafa: Qeveria përkundër deklaratave që po përkrah qytetarët e Kosovës, rezultati në terren tregojnë ndryshe
“Propozimi i LDK-së ka mbi një vit e gjysmë që ka qenë dhe mbetet që të ulet ose të eliminohet akciza dhe TVSh në produktet e naftës dhe energjisë. Por, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë nga këto hapa. Kjo pastaj si çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe karburanteve reflektohet në çmimin e lartë të produkteve esenciale e veçanërisht atyre ushqimore që në Kosovë për shkak të përbërjes socio-ekonomike përben pjesën më të madhe të shportës të konsumit të një familje mesatare. Dhe fatkeqësisht qeveria përkundër deklaratave që po përkrah qytetarët e Kosovës, rezultati në terren tregojnë ndryshe”, thotë Mustafa.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj përmend disa veprime që duhet të ndërmarrë qeveria për uljen e çmimeve.
Lekaj: Duhet që inspektorët të dalin në treg që konkurrenca të jetë e lirë
“Kjo qeveri nuk ka marrë me preventiv që të lehtësojë apo të ketë një subvencionim të këtyre çmimeve, të heqë akcizën dhe përveç kësaj të ketë edhe veprime të qeverisë që të ketë sanksionime, jo që të ndikojë në çmime por t’i subvencionojë ato. Deri më tani nuk kemi parë diçka të tillë dhe prapë qeveria po vazhdon me avazin e vjetër, më tepër llafe se veprime konkrete… Duhet që inspektorët të dalin në treg që konkurrenca të jetë e lirë dhe që të mos ndikojë sipas dëshirës, të ngritën çmimet enorme, por deri më tani nuk kemi pas këso veprime dhe është mirë që sa më parë që të ndodhë një kontroll i tillë”, deklaron Lekaj.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt 2023 me të njëjtin muaj të një viti më parë ishte 10.5%
/TV Arbëria