Falë përparimeve në teknologjinë e ADN-së, pas 45 vitesh është zbuluar identiteti i një gruaje që u gjet e vdekur në vitin 1978 në shtetin amerikan të Massachusetts.
Patricia Ann Tucker, asokohe 28 vjeçe, njihej për dekada vetëm si Granby Girl, pas qytetit të vogël ku u gjet trupi i saj.
Ekspertët ishin në gjendje të identifikonin Tucker duke përdorur mostrat e ADN-së nga djali i saj, i cili ishte pesë vjeç kur ajo u zhduk. Pas vdekjes së saj, trupi i saj u varros në një varr mbi të qwndroi mbishkrimi “person i panjohur” për dekada.
“Faleminderit që nuk u dorëzuat. Pas 44 vitesh të paktën kam disa përgjigje”, tha djali i saj Matthew Dale, raporton BBC.
Trupi i Ann Tucker u gjet i varrosur nën gjethe në një rrugë në qytetin Granby më 15 nëntor 1978. Ajo ishte qëlluar në tempull dhe vdekja e saj u cilësua si një vrasje.
Autopsia përcaktoi se ajo u vra disa muaj para se të gjendej trupi dhe se në momentin e vdekjes ishte nga mosha 19 deri në 27 vjeç.
Por identiteti i saj mbeti mister. Rreth dy vjet më parë, autoritetet morën profilin e saj të ADN-së përmes një laboratori të mjekësisë ligjore dhe identifikuan një grua në Maryland, e cila ndoshta kishte lidhje me të.
I afërmi i tha policisë se tezja e saj u zhduk në vitet 1970 dhe dha emrat e dy djemve të saj. Njëri prej tyre, Matthew Dale, konfirmoi në polici se nëna e tij, Patricia Tucker, ishte zhdukur në vitin 1978. Një krahasim i ADN-së së tij me ADN-në e trupit të gjetur, rezultoi në një përputhje 100%.
“Edhe pse jemi të kënaqur që më në fund e dimë se kush ishte në të vërtetë vajza Granby, hetimi nuk ka përfunduar. Ne duhet të gjejmë vrasësin e saj”, tha ndihmësprokurori i qarkut Steven Gagne.
Hetuesit zbuluan se Tucker ishte e martuar me Gerald Coleman në atë kohë, por ai kurrë nuk e raportoi atë të zhdukur. Coleman u dënua për përdhunim dhe sulm në 1995, dhe vdiq në burg në 1996. /TV Arbëria