Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Vitia merr pjesë në Kongresin e Shëndetësisë në Tiranë

Vitia merr pjesë në Kongresin e Shëndetësisë në Tiranë

Me ftesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, ministri Arben Vitia mori pjesë në “Kongresin e Shëndetësisë” që për synim kishte të bëjë bashkë politikëbërësit, ekspertët shëndetësorë, profesionistët e kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë në një forum të përbashkët për të ndarë përvojat dhe për t’u angazhuar në dialog në lidhje me sfidat e sistemit shëndetësor.

Ministri Vitia ishte pjesë e panelit në sesionin e parë të këtij kongresi, me temë “Financimi i shëndetësisë për përmirësimin e sistemit shëndetësor duke rritur qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë”. Ai paralajmëroi mundësinë e mbajtjes së një kongresi të tillë gjatë vitit të ardhshëm në Kosovë.

Ky sesion në fokus kishte modele të ndryshme të financimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Në këtë kongres u diskutuan praktikat më të mira ndërkombëtare, për të mësuar dhe për të përshtatur ato në qëllim të ofrimit të një kujdesi më të mirë, rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe për t’u përditësuar me risitë më të fundit në fushën e shëndetësisë.

Kongresi i Shëndetësisë u hap nga një fjalë rasti e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili, ndër të tjera tha se pjesëmarrja dhe ndërveprimi i shumë autoriteteve nga institucione të ndryshme shëndetësore do të nxisë bashkëpunimin në adresimin e sfidave të ardhshme për një shërbim më cilësor dhe gjithëpërfshirës, duke u fokusuar në arritjen e Mbulimit Shëndetësor Universal.

/TV Arbëria

Themes by WordPress