Ylli i Paris Saint-Germainit, Neymar, mund të mos luajë më këtë sezon, pasi pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike në ligamentin e nyjës së këmbës së djathtë.
Braziliani u lëndua në sfidën ndaj Lille dhe u nxor jashtë me barelë, ndërsa në njoftimin e klubit u tha se nuk kishte pësuar frakture duke dhënë shpresë për mungesë afatshkurtër.
Mirëpo, mjekët i kanë sugjeruar sulmuesit operacion për rregullimin e ligamenteve në nyje, ashtu që mungesa do të ishte afatgjate. Nëse ndodh kjo, atëherë Neymar pritet të mungoje deri në katër muaj, që do të thotë se sezoni do të ketë përfunduar për të.
“Neymar Jr ka pësuar një sërë rastesh të paqëndrueshmërisë në nyjën e këmbës së djathtë në vitet e fundit. Pas ndrydhjes së tij të fundit, më 20 shkurt, stafi mjekësor i Paris Saint-Germain rekomandoi një operacion riparimi të ligamenteve për të shmangur një rrezik të madh të përsëritjes. Të gjithë ekspertët e konsultuar e kanë konfirmuar këtë domosdoshmëri.
“Operacioni do të kryhet në ditët në vijim në spitalin ASPETAR në Doha. Do të duhen 3 deri në 4 muaj përpara se ai të kthehet në stërvitje me ekipin”, thuhet në njoftimin zyrtar të PSG-së.
Mundësia e vetme e kthimit është në finale të Ligës së Kampionëve më 10 qershor nëse PSG arrin deri në atë fazë.