Në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan me nderimet më të larta ushtarake dhe qytetare dje iu dha lamtumira e fundit, veteranit të luftës dhe eprorit të UÇK- së, Agron Haradinaj.
Aty morën pjesë familjarët e tij, shokë, dashamirë dhe bashkëluftëtarë.
Një nga pjesëmarrësit ishte edhe Gjenerali Kudusi Lame, i cili foli për Gjeneralin Agron Haradinaj, të cilin e quajti person madhështor dhe e vlerësoi lart luftën e tij.
“Njeriu që më ka zëvendësuar në çdo bashkëpunim me amerikanët ishte Agron Ismajl Haradinaj, Agroni ishte ai që i krynte urdhërat dhe asnjëherë nuk dështonte e as nuk ishte njeri i kamerave. Agron Haradinaj ka qenë madhështor, e vlerësoj për luftën e tij, për veprat e tij, ambicien e tij, dhe origjinën e tij sepse e kishte prioritare në të gjithë veprimtarinë e vet sepse thoshte duhet luftuar fort që të meritosh të quhesh djali i Ismajl Haradinajt. Unë mendoj se ai arriti te i ati, jo vetëm me ndërrimin e jetës por edhe me portretin që krijoi, me figurën që bëri”, tha ai.
Ndër të tjera ai u shpreh se ishte krenar që pati një djalë si Agroni krah tij.
” Jam krenar me atë djalë që pata krah meje, dhe do të përpiqem që sa të jem gjallë ta respektoj dhe t’i nderoj veprat e tij sepse ai kurrë nuk e ka kthyer kokën mbrapa për të parë se çfarë bëra, ai ka kryer dhe ka shkuar për të kryer një tjetër, ky ka qenë Agroni dhe kështu e kujtoj unë, dhe kështu duhet ta njohin të gjithë”, u shpreh për TV Arbërinë Gjenerali Kudusi Lame.
/TV Arbëria