Traktati për detin e hapur vendos që deri në vitin 2030, 30 për qind e deteve të jenë në zona të mbrojtura, me synimin për të mbrojtur dhe për të rikuperuar natyrën detare.
Marrëveshja u arrit në mbrëmjen e së shtunës, pas 38 orësh bisedime në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Negociatat për këtë traktat janë bllokuar për vite të tëra për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me financimin dhe të drejtat e peshkimit.
Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për mbrojtjen e oqeaneve ishte nënshkruar më 1982. Ajo marrëveshje krijoi zonat e quajtura dete të hapura – ujëra ndërkombëtare ku të gjitha shtetet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime – por, vetëm 1.2 për qind e këtyre ujërave janë të mbrojtura.
Jeta detare jashtë këtyre zonave të mbrojtura ka qenë në rrezik nga ndryshimet klimatike, peshkimi i pakontrolluar dhe trafiku i anijeve.
Sipas vlerësimeve të fundit lidhur me speciet detare është gjetur se 10 për qind e tyre janë në rrezik të zhduken.
Në zonat e reja të mbrojtura, sipas traktatit të ri, do të ketë kufizime sa i përket peshkimit, rrugëve të kalimit të anijeve dhe aktiviteteve eksploruese, sikurse nxjerrja e mineraleve nga shtrati i detit që gjendet 200 metra apo më poshtë sesa nga sipërfaqja e ujit.
Grupet mjedisore kanë shprehur shqetësim se nxjerrja e mineraleve mund të ndikojë në riprodhimin e gjitarëve detarë, të shkaktojë ndotje dhe të jetë e rrezikshme për jetën detare. /REL
/TV Arbëria