Pas propozimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që në Kuvend mund ta vazhdojë debatin për dialog pas orës 22:00, me këtë kohë të vazhdimit të këtij diskutimi u pajtuan edhe deputetët.
Kështu kuvendi vendosi që vazhdimi i seancës për raportimin e Kurtit për dialog në seancë të mbahet sonte prej orës 22:00.
Kurti: Në ora 22:00 mund të vijë sonte
“Mua në orën 16:00 më duhet me shkuar, nuk mundem pas orës 16:00, iu ka njoftuar kryetarja e Grupit Parlamentar.Kam një propozim nëse e konsideroni si shumë të rëndësishme unë mund të vijë kur të lirohem në ora 22:00 mund të vijë sonte edhe deri në ora 07:00 mëngjes kur e kam takimin e parë ekzistojnë”, tha ai.
Por, ishte shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri i cili këtë orar e konsideroi si të vonshëm, madje tha se në atë kohë askush nuk e përcjell seancën pasi të gjithë shikojnë “Big Brother”.
Tahiri: Në atë kohë askush nuk e shikon, të gjithë e shikojnë “Big Brother”
“Edhe ne e mbështesim me ardhur në ora 22:00, por kjo është një hajgare e madhe çfarë po ndodh me këtë debat. Nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës këtë sjellje, nuk e meriton një kryeministër të na lërë e të vijë në ora 22:00, sepse në atë kohë askush nuk e shikon, të gjithë e shikojnë “BigBrother”, kjo është hajgare”, tha Tahiri.
E kryeministri i Kosovës, po ashtu gjatë këtij debati u shpreh se me nenin 1 dhe 4 së bashku me konceptin e fqinjësisë së mirë formohet njohja defakto.
Kurti: Neni 1 dhe 4 I marrëveshjes bazike së bashku me konceptin e fqinjësisë së mirë e formojnë njohjen defakte
“Shprehja fqinjësia e mirë përdoret për herë të parë në marrëveshje dhe kjo është shumë e rëndësishme, se fqinjësia e mirë i bie secili në shtëpi të vetë, pra nuk ka fqinjësi pa dy shtëpi, dhe përveç kësaj është mirë theksohet se neni 1 dhe 4 i marrëveshjes bazike së bashku me konceptin e fqinjësisë së mirë e formojnë njohjen defakte, fqinjësia e mirë si konceptin 1 dhe 4 e formojnë njohjen defakto”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se neni 7 nuk është territorial dhe nuk e ka fjalën autonomi apo vetëqeverisje.
Kurti:Neni 7 nuk e keni fjalën autonomi, lokal apo vetëqeverisje
“Iu kisha lutur për shumë kujdes sa i përket nenit 7…. në nenin 7 nuk e keni fjalën autonomi nuk ka nevojë me sjell këtë zotëri Gashi, tash po ta tregoj se çka është vetëmenaxhimi veç pak durim…tek neni 7 fjala local nuk ekziston, self goverment nuk ekziston, fjala self adminstation nuk ekziston fjala autonomi nuk ekziston pse ma sjell pa nevojë kur asnjëra prej këtyre nuk figurojnë por ekziston një konventë tjetër konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave në Këshillin e Evropës 1995 ajo është referenca jonë….Nuk është territorial neni 7 thotë serbët janë komunitet e shpjegova edhe më herët se flitet për individ me të drejta të caktuara edhe sipas përkatësisë, komunitet që ka backgraund entik por nuk është territorial kjo autonomi vendore fjalët po të ishin në nenin shtatë vetëqeverisje, apo vetë administrim do të ishte tjetër situatë, kur thua vetëm serbët janë komunitet dhe thua vetëmenaxhim është tjetër situatë. Ekziston shprehja vetëmenaxhim dhe ekziston shprehja komuniteti serb që kemi ne në Kushtetutë dhe referenca në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Sa i takon formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë Kurti tha se formalizimi nuk nënkupton negocimim mbi statusin e saj e as diskutim mbi të drejtat e veçanta.
Kurti: Formalizimi nuk nënkupton negocimim mbi statusin e saj
“Formalizimi nuk nënkupton negocimim mbi statusin e saj e as diskutim mbi të drejtat e veçanta formalizimi i referohet njohjes së Kishës Ortodokse Serbe si një person juridik fetare përkatësi bashkësi fetare në legjislacionin e brendshëm të Kosovës një gjë e tillë nuk nënkupton asgjë të veçantë dhe asgjë speciale, por thjesht përmbushjen e detyrimit të Kosovës ndaj të gjitha komuniteteve bashkësive fetare sa i përket të drejta dhe lirive”, u shpreh Kurti.
Kryeministri u shpreh po ashtu se bazuar në marrëveshjet e mëhershme të arritur me qeverisjen e PDK-së dhe LDK-së nuk e ka ditur që opozita ka kaq interes për këtë marrëveshje.
Pasi në të kundërtën siç u shpreh Kurti do të vinte direkt nga aeroporti në seancë të jashtëzakonshme.
Kurti: Nuk e kam ditë që kaq shumë ua ndien për marrëveshjet se isha ardhur drejt nga aeroporti
“Duke pas parasysh marrëveshjet që i keni bërë si PDK e LDK më herët për besë nuk e kam ditë që ua ndien kaq shumë për marrëveshjet, se me pas ditë që ua ndien kaq shumë për marrëveshjet kur i kam parë marrëveshjet e mëhershme kom mëndu që nuk ua ndien, por kur e kam parë sa të interesuar jeni për të diskutuar për marrëveshjen unë kisha thirr edhe seancë të jashtëzakonshme prej aeroportit kam shkua në Çirez e Likoshan dhe kisha ardhur këtu”, tha ai.
/TV Arbëria