Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​120 vite pa Jeronim De Rada, kritikët: Themeloi, emancipoi dhe krijoi modelin estetik të Letërsisë Shqipe

​120 vite pa Jeronim De Rada, kritikët: Themeloi, emancipoi dhe krijoi modelin estetik të Letërsisë Shqipe

Skënderbeu është i pari, Jeronim De Rada është i dyti emër i shenjtë për arbëreshët. Kush i ka shkelur viset, katundet e Kalabrisë apo Sicilisë ku jetojnë arbëreshët e di mirë se janë emrat e këtyre dy Perëndive, njëri i Mbrojtjes dhe tjetri i Dijes e Kulturës, që ky komunitet, i mbetur jetim në një vend të huaj, ndërtoi e u kap fort pas tyre për të mos u asgjësuar.

Edhe sot aty gjen edhe shtëpinë muze të De Radës, rrugë me emrin e tij, bustin e tij në shkolla, botime të veprave të tij etj.

Në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta të Jeronim De Radës, themeluesit të letërsisë moderne shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe ajo e Botimeve të Diasporës kanë bërë një përshpirtje për babain e letërsisë shqipe, nismëtarin e letërsisë së mirëfilltë shqipe, nismëtarin e shtypit arbëresh me gazetën “L’Albanese d’Italia”, botuar në vitin 1848, nismëtarin e mendimit estetik me veprën “Parimet e estetikës” etj.

Kadare pati botuar një shkrim “Duke lexuar Milosaon”, kur ishte 27 vjeç, te gazeta “Drita” në vitin 1964, ku thekson dhënien e dimensioneve të reja, të cilësuara të gabuara në socrealizëm, novatorizmin dhe frymën universale të veprës së De Radës në një kohë kur vlerësohej fryma nacionale dhe lokale.

Në këtë përvjetor u botua për herë të parë “Vepra historiko-filologjike dhe publicistike”, që përmbledh shkrimet kryesore të De Radës, parathënie librash e broshurash, të përmbledhura nga Jup Kastrati për 30 vite nga 1949-1978, projekt i Akademisë së Shkencave që e pa vetëm sot dritën e botimit.

Jeronim de Rada ka lindur më 19 nëntor 1814, në një katund të vogël të Kalabrisë të quajtur Macchia Albanese. Ai vdiq më 28 shkurt të vitit 1903./rtsh