Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > ​Haradinaj për marrëveshjen: Kjo është më e mira e mundshme

​Haradinaj për marrëveshjen: Kjo është më e mira e mundshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit.

“Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin”, ka shkruar Haradinaj.

Propozimi franko-gjerman e ka marrë mbështetjen e Haradinajt dhe të AAK-së duke vlerësuar se ky shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen ‘de jure’ të Kosovës.

“Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë eksluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se këto janë momente që kërkohet unitet politik.

“Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin. Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses”, ka shtuar Haradinaj.

I pari i AAK-së ka thënë se ShBA-të dhe aleatët tanë do ta ndihmojnë Kosovën deri në përmbyllje të marrëveshjes.

“Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike. Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike”, ka përfunduar Haradinaj.

 

Powered by WordPress