Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Laguna e Kune Vainit, ndër oazat e biodiversitetit në Evropë

Laguna e Kune Vainit, ndër oazat e biodiversitetit në Evropë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli mëngjesin e sotëm pamje nga zona e parë të mbrojtur në Shqipëri. Bëhet fjalë për lagunën e Kune Vainit, të cilën ministrja Kumbaro e vlerëson si “një prej oazeve më të rëndësishme të biodiversitetit në Evropë si dhe një mrekulli të natyrës”.

Laguna e Kune Vainit, përveç se një nga asetet turistike të veriperëndimit të vendit, është një atraksion i përhershëm dhe lehtësisht i arritshëm falë ndërtimit të infrastrukturës. Laguna, e shpallur e para zonë e mbrojtur në vend, rreth 80 vjet më parë, gjendet 8 km larg Lezhës. Ajo cilësohet si një nga më interesantet dhe gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë të huaj dhe vendas, shkruan ATSH.

Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante. Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj. /TV Arbëria

VIDEO

Themes by WordPress