Në kuadër të programeve strategjike për zhvillimin e grupmoshave të reja dhe përgatitjen e tyre për fazën e elitës, FFK ka lansuar për herë të parë projektin TDS (Talent Development Scheme).
Ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me FIFA-n për klubet e elitës, që do t’i ndihmojë në programet dhe zhvillimin e grupmoshave të reja. Efekti i edukimit vit pas viti do të prodhojë sportistë të rinj me bazë të shëndoshë edukimi, qoftë në aspektin profesional por edhe në Lidership, Fair Play, Etikë etj.
Projekti TDS është projekt një vjeçar duke filluar nga 1 marsi 2023. Pjesë e projekti do të jenë të gjitha klubet e elitës të cilat garojnë në Superligë tek meshkujt dhe 8 klubet e Superligës tek femrat nga vendi ynë.
TDS do të jetë bazë e qëndrueshme për krijimin e ekipeve tona përfaqësuese dhe përfaqësimin sa më të mirë të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
Projekti do të jetë në shërbim të elitës së klubeve tona drejt punës cilësore dhe krijimit të një forumi të përbashkët edukativ.
Në këtë trajnim morën pjesë trajnerë të gjeneratave U19 dhe U16 në konkurrencën e meshkujve, ndërsa në atë të femrave ato të U17.
Për të hapur punimet e këtij projekti e pranishme në Kosovë ishte Carolin Braun, Konsulente teknike rajonale e FIFA-s e cila u ndje e lumtur që ka mundësinë për të ndihmuar në implementimin e këtij projekti në Kosovë.
Trajnerët pjesëmarrës në punëtorinë e parë të TDS e mirëpriten nisjen e projektit. Osman Islami tha se ky projekt u ndihmon të përgatiten profesionalisht.
Ndërsa mentori Elon Berisha e konsideron mjaft të qëlluar projektin për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinjë.
/TV Arbëria