Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Kosova kërkon mbështetje nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim në NATO

Kosova kërkon mbështetje nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim në NATO

Grupi i Miqësisë me Maqedoninë e Veriut i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka kërkuar nga homologët maqedonas që ta mbështesin Kosovën për anëtarësimin në NATO.

Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e këtij grupi, Ganimete Musliu. Ajo ka dhënë detaje nga takimi, me ç’rast tha se shteti fqinj, duke qenë anëtare në NATO, mund ta mbështesë Kosovën drejt këtij rrugëtimi.

Me këtë rast, Musliu edhe ka kërkuar që takime të tilla të mbahen më shpesh.

“Është një takim që ndodh për herë të parë në historinë e parlamenteve, ku takohen dy grupet e miqësisë. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen duke filluar nga kalimi në pikën kufitare, folëm për çështje të arsimit, për bashkëpunim në politika të përbashkëta”.

“Ky është takimi i parë por nga sot do të fillojë rritja e intensitetit të takimeve tona. Të dyja grupet erdhëm në përfundim që duhet të takohemi më shpesh”.

“Maqedonia e Veriut është edhe një mbështetëse e fuqishme e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe gjithashtu, ju e dini se ne aspirojmë integrimin tonë në NATO, këtë rast Maqedonia është në NATO dhe ne kërkuam edhe nga delegacioni që të kemi mbështetje edhe me tej për shtetin e Kosovës”, ka thënë Musliu.

E kryetari i Grupit Parlamentar të Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, Afrim Gashi, i quajti të shkëlqyeshme raportet ndërmjet dy shteteve.

Ai tha se bashkëpunimi i këtyre dy shteteve, do të jetë shembull për shtetet e Ballkanit në rrugën atlantike.

“Është takimi i parë, por ne shpresojmë që këto dy grupe të miqësisë do të jenë pika shtytëse që do të ndikojnë në përmirësimin e raporteve të dy shteteve. Ne konstatuam se raportet ndërmjet dy shteteve tona janë të shkëlqyeshme por gjithmonë ka hapësire për përmirësim të raporteve”.

“U fokusuam tek pika e dytë, se cilat janë fushat ku ne mund ta zhvillojmë bashkëpunimin dhe t’i përmirësojmë raportet ndërmjet dy shteteve tona. E gjitha kjo për një jetë sa më të mirë për qytetarët tanë”, tha ai.

“Kjo gjithsesi do të jetë edhe reflektim edhe për vendet tona edhe vendet e rajonit edhe do të jemi një shembull pozitiv apo pikë e bardhë e Ballkanit në funksion të ecjes sonë të përbashkët rreth rrugëtimit të dy shteteve tona në rrugën atlantike”, tha në fund Gashi.

/TV Arbëria

Powered by WordPress