Profesori universitar ka thënë se për dallim prej viteve të kaluara, moti këtë muaj nuk është normale.
“Po për dallim prej viteve tjera ky vit në kuptimin e itinerarit agronomik është pak më i çrregullt para se gjithash nuk u karakterizua me reshje bore në pjesën dërrmuese të regjioneve tona prodhuese dhe kjo në njëfarë forme dhe ngritja e temperaturës se s’është normale për muajin shkurt përshpejton vegjetacionin që mund të ketë pasoja dukshëm të mëdha në mars eventualisht prill po qe se na paraqiten osilime temperaturale, para se gjithash mendoj ndonjë reshje bore që mund të bie në mars ose me acare të mëdha dimërore sepse ky përshpejtim i temperaturës në shkurt që nuk është normale mund të mugullojë pemët, mund të shpejtojë vegjetacion tek bimët që janë mbjellë në vjeshtë siç është rasti i grurit dhe pasojat mund të jenë dukshëm të mëdha, pavarësisht kësaj unë rekomandoj tek fermerët që fundi i këtij muajit dhe fillimi i marsit të intervenohet me dozën e parë të riplehërimit, fillimisht me uri dhe një muaj pas intervenimit të parë të korrektohet ose të përmirësohet afati i dytë i plehërimit me nitrat të amonit gëlçeror, që në popullatë edhe sot e kësaj dite e quajmë ‘KAN’ me një dozë relativisht më të ulët në raport me afatin e parë të riplehërimit”, thotë Rusinovci.
Profesori tha se në rast se ka rritje të temperaturave, dëmet mund të jenë evidente, por që thekson se nuk ka nevojë për panik por për mbikëqyrje nga specialistë.
Rusinovci tha se këto fenomene të kohës kanë përfshirë gjithë globin dhe se këtë vit për dallim prej viteve tjera do të ketë sfida sipas tij dukshëm më të mëdha.
“Normalisht që po sepse këtu kemi të bëjmë me një fenomen që kohës së fundit ka përfshirë gjithë globin tokësor që po e quajnë çrregullimet klimatike, si pasojë e shkatërrimit të shtresës së ozonit, industrializimit të madh, numrit të madh të makinave e tjera e tjera dhe dikur në Amerikë nën algorin u udhëheq një projekt për këto ndërrime klimatike se nuk dhanë një rezultat konkret, pasoja e shkrimit të akullnajave, ngritjes së temperaturës në masë vjetore për një shkallë të caktuar e tjera e tjera, por sidoqoftë sfidat në agronomi do të jenë dukshëm më të mëdha në raport me vitet e kaluara por që ne të dorëzohemi dhe që të mos përballemi me sfidat që karakterizohemi ne është diçka e pamundshme sepse duhet të përballemi me ato çka na bien koha, klima, konditat agroekologjike, faktori njeri që intervenon përmes agroteknikës, por sidoqoftë nuk pritet një prodhim i lartë në raport me vitet e kaluara sepse pasojat mund të jenë evidente gjithmonë për pasojë të çrregullimeve klimatike, në këtë konstelacion mendoj se fermerët duhet të jenë më të përgjegjshëm të kenë mbikëqyrje të plotë nga specialistët dhe të intervenojnë krahas rekomandimeve të tyre varësisht për cilin sektor është fjala”, tha Rusinovci.
Ndërkaq sa i përket importit të ai tha se një sasi e madhe e lëndës së parë importohet nga vendet e rajonit, ku sipas tij duhet të ndërtohet një emërues i përbashkët në mes shërbimeve këshillimore dhe fermerëve që të shtohet prodhimi.
“Absolutisht jo, flas për prodhimtarinë primare jam vet specialist i drithërave, kur kemi parasysh domethënë ushqimin bazë që në këtë rast është gruri, mielli i grurit, gruri merkantil e tjera, importohet një sasi e madhe nga vendet e rajoni dhe ne me sipërfaqen kultivuese që e kemi edhe vitin e kaluar që nuk ka shumë dallim në bazë të dhënave referale që ka Agjensioni i Statistikave, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, mund të sigurojmë ndoshta gjysmën e ushqimit, kur flas për nevoja të drejtpërdrejta, pavarësisht që në Kosovë nuk punon Industria ushqimore, po të punonte industria ushqimore atëherë nevoja për drithëra do të ishin dukshëm më të larta dhe kjo na bën me kuptu që ne në të ardhmen duhet shumë të punojmë me fermerë që duhet të ndërtojmë një emërues të përbashkët në mes të shërbimeve këshillimore, dikasterit përkatës dhe fermerëve qofshin prodhues, qofshin përpunues që të shtojmë prodhimin për njësi sipërfaqësore sepse po përballemi me import marramendës”, tha Rusinovci.
/TV Arbëria