Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sjell në kujtesë një nga monumentet ku ia vlen të ndalohet për ta parë. Bëhet fjalë për Urën e Nivanit në Gjirokastër. Ura gjendet në zonën e Zagorisë. Ajo cilësohet si “Monument i Trashëgimisë Kulturore” nën mbrojtje.
Ura e Nivanit është ndërtuar nga Ali pashë Tepelena, në fillim të shekullit XIX. Ura ka qenë pjesë e rrugës së karvaneve tregtare që ka lidhur zonën e Gjirokastrës me atë të Përmetit.
Ura është e përbërë nga dy harqe: harku kryesor mbi rrjedhën e lumit dhe një hark më i vogël, mbi tokë, në njërën nga këmbët e urës. Këmba tjetër e urës ka një konstruksion masiv pa hapësira drite. Ura ka një gjatësi prej 34 m dhe është e gjerë 3,15 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm.
Kjo urë i ka dhënë jetë në fillim të shek. XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që kanë shkuar nga Gjirokastra, kanë kaluar mbi urën e Nivanit, janë ndalur më pas në Manastirin e Nivanit, ndërtim i vitit 1777, ka vijuar në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet, shkruan Atsh
Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj.
/TV Arbëria