Ligji për pagat në sektorin publik i miratuar në Kuvend me koeficientin në vlerë prej 105 euro, nuk prek edhe rrogat enorme të larta në disa institucione të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës dhe në ndërmarrjet publike.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli, do të vazhdojnë të mbesin ndër më të paguarit në vend.
Guvernatori Mehmeti merr pagë mujore 4 mijë e 430 euro apo 53 mijë e 165 euro, neto në vit.
Pagë të përafërt me guvernatorin ka edhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli. Ai merr pagë 4 mijë 128 euro në muaj ose 49 mijë e 536 euro, neto në vit. Ndonëse, performanca e Trustit me kursimet e qytetarëve për vitin e 2022 ishte negative, e cila kulmoi me humbje rreth 120 milionë euro.
Kryetari i komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Armend Muja ka treguar arsyet përse këto dy institucione të pavarura nuk janë përfshirë në ligjin për pagat.
Megjithatë, deputeti Muja ka përmendur institucionet tjera që janë përfshirë në këtë ligj, siç është Agjencia e Kosovës e Privatizimit (AKP).
Paga të larta deri tani kanë pasur edhe drejtues të këtij institucioni, por nga ky muaj u janë ulur pagat për stafin e AKP-së, pasi që janë futur në ligjin për pagat.
Kështu pagat e këtyre zyrtarëve që ishin mbi 5 mijë euro në muaj deri në janarin e këtij viti, tashmë me ligjin e ri që ka hyrë në fuqi nga muaj shkurt, këta punonjës të AKP-së, do t’i marrin rrogat me zbritje.
Kurse, ndërmarrjet publike nuk janë futur në ligjin e pagave dhe nuk do të zbriten pagat në këto kompani. Kryeshefi i ndërmarrjes publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani do të vazhdojë të marrë pagën mujore 1801 euro ose më të lartë se rrogën e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, edhe kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana do të vazhdojë të marrë pagë mujore 1727 euro.
Kurse, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka të deklaruar një shumë të pagës që është e pa qartë se a është vjetore apo mujore (9.085.00 neto)në formularin e deklarimit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Pagat mesatare, paga minimale dhe pensioni
Paga mesatare nëpër ndërmarrjet publike është rreth 768 euro. Paga mesatare në sektorin publik me ligjin e ri për pagat arrin 730 euro. Ndërsa, paga mesatare në sektorin privat mbetet 419 euro.
Po ashtu, edhe paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro. Ndërkaq, pensioni i pleqërisë 100 euro dhe kategoritë e skemave sociale nga 60 deri 170 euro.
Kryetari i komisionit parlamentar për buxhet, punë dhe transfere, Armend Muja ka deklaruar se ligji i ri për pagat nuk përfshinë Bankën Qendrore të Kosovës, pasi që sipas tij, me Kushtetutë u lejohet rregullimi i brendshëm për pagat.
Muja: Ligji nuk e përfshin BQK-në dhe Trustin
“E përfshin AKP-në, por nuk e përfshin BQK-në dhe Trustin, sepse kanë rregullim specifik kushtetues ato institucione, por iu ka dhënë mundësia atyre. Në vitin 2019, Gjykata Kushtetuese mes tjerash e ka rrëzuar ligjin pikërisht për shkak se draftligji i propozuar në vitin 2019, ka interferuar edhe në rregullimin e brendshëm të BQK-së, pra me Kushtetutë këtyre iu lejohet rregullimi i brendshëm, i cili duhet të ndjekë disa margjina, por ato e kanë të drejtën e rregullimit të brendshëm”, ka theksuar Muja.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Muja ka thënë se në ligjin për paga këtë herë përfshinë Agjencinë e Kosovës së Privatizimit (AKP). Sipas tij, rroga e drejtorit të AKP-së, është zvogëluar me ligjin e ri për pagat.
Muja: Rroga e drejtorit të AKP-së është zvogëluar me ligjin e ri
“Rrogën më të lartë në Kosovë e ka pas drejtori i Agjencisë së Privatizimit në vlerë prej 5 mijë e 300 euro, nuk është drejtori i Trustit. Drejtori i Privatizimit ka marrë pagë publike dhe atij natyrisht se ia kemi zvogëluar tash e tutje dhe e kemi zhvendos në kryeministrin dhe presidentes, sepse ka përgjegjësi më të vogla, mos të flasë që performanca e tyre ka qenë katastrofale”, ka shtuar mes tjerash Muja.
Hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Albesa Humolli ka thënë se të gjitha institucionet e pavarura do të duhej të përfshihen në ligjin për paga, përfshirë BQK-në, Trusti-n edhe Agjencinë e Kosovës të Inteligjencës (AKI).
Humolli: BQK, Trusti dhe AKI do të duhej të përfshiheshin në ligjin për pagat
“Ne edhe më herët në fazën për konsultime publike si KDI kemi dërguar komentet tona dhe kemi pa si problematike çështjen e mospërfshirjes të BQK-së dhe AKI-së. Kemi propozuar që edhe nëse ekziston një arsyeje për mospërfshirje qoftë për shkaqe të sigurisë juridike apo tjetër, patjetër që kjo duhet të jepet në formën zyrtare, të një shtojce se pse nuk janë të përfshira këto institucione dhe njëkohësisht kemi propozuar që së paku të bëhet publiko koeficienti i pagës së drejtorit të AKI-së dhe në këtë rast të guvernatorit të BQK-së. Kjo për shkak të interesit publik për të ditur se sa është paga e tyre në raport me pagën e funksionarëve të tjerë publik apo me pagën e presidentes, kryeministrit e me radhë”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala ka thënë se lartësia e pagave në BQK dhe Trust, nuk është çështje që rregullohet përmes ligjit të pagave për shkak të të hyrave dhe mundësive që një institucion i tillë autonom ka t’i paguajë drejtuesit e saj.
Shala: Lartësia e pagave në BQK dhe Trust nuk rregullohet përmes ligjit të pagave
“Mënyra si rregullohen këto paga dhe lartësia e tyre nuk është çështje që rregullohet përmes Ligjit të pagave, nuk i nënshtrohet kërkesave për harmonizimin sipas kritereve për ligjin e pagave në sektorin publik dhe kjo është arsyeja pse brenda këtyre institucioneve, më pastaj përcaktohet edhe paga e drejtuesve më të lartë apo edhe nëpunësve të tjerë. Për këtë arsyeje do duhej të shikohej pozita që mban, përgjegjësitë që ka, po ashtu edhe me të hyrat dhe me mundësitë që një institucion i tillë autonom ka mundësi të paguajë drejtuesit e saj. Mirëpo, derisa ka një pavarësi të tillë autonome nuk mund të thuhet se mund të rregullohet përmes ligjit që ka qenë pagat në sektorin publik. Më pastaj është aspekt i ekonomisë së brendshme për të përcaktuar nëse një pagë e tillë përkon me interesat e një institucioni të tillë autonom ose jo”, është shprehur Shala.
Sipas ligjit për paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën presidentit do të jetë 18 që i bie se paga e të parit të shtetit të jetë 1 mijë e 890 euro në vitin 2023.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri i vendit, do të kenë koeficientin 17, që i bie se paga për këto dy pozita do të kenë pagë prej 1 mijë e 785 euro në muaj.
Pagë më të lartë se kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të ketë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Koeficienti për këtë post do të jetë 17.5, që i bie se paga mujore do të jetë 1 mijë e 837 euro.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022, ndërsa, presidentja e Kosovës e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Ky ligj ka hyrë në fuqi më 5 shkurt. Ndërkohë, në Institucionin e Avokatit të Popullit janë adresuar mbi 35 ankesa nga sindikatat dhe disa institucione për dërgimin e Ligjit të pagave në Kushtetuese.
/TV Arbëria