Nisjen e funksionimit të Byrosë pritet ta shtyjë edhe më shumë, dërgimi i projektligjit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nga ana e PDK-së.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, tha se kanë shprehur pakënaqësitë dhe kundërshtimet e tyre në lidhje me formën e përzgjedhjes së drejtorit të Byrosë, me një shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Ne kemi shprehur edhe pakënaqësitë dhe kundërshtimet tona në grupin punues edhe në Kuvend për draftimin e këtij projektligji dhe që kryesorja ka qenë në raport me përzgjedhjen e drejtorit të Byrosë. Kjo për faktin se sipas ligjit që tani është miratuar përcaktohet që drejtori i ri i Byrosë do të propozohet nga një organ kolegjial përmes 5 anëtarëve, 4 të cilët janë të zgjedhur nga institucionet e ndryshme politike dhe që ky institucion vetëm do ta propozojë drejtorin e ri dhe që drejtori i ri më pastaj do të përzgjidhet me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës”.
Kjo zgjidhje, nga IKD-ja vlerësohet se nuk është adekuate dhe nuk është treguar e suksesshme në Kosovë. “Nuk mund të themi që përzgjedhja e drejtorit ka pavarësi objektive si proces i tërësishëm për shkak se ka implikim të konsiderueshëm të spektrit politik në përzgjedhjen e drejtorit”, tha ai.
Ai tha se për faktin që ky projektligj ka shkuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, Byroja nuk pritet që të fillojë punën e saj gjatë këtij viti.
“Ky projektligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim është se i njëjti nuk do të hyjë në fuqi deri në momentin kur do të vendos Gjykata Kushtetuese dhe vetëm pasi të vendos Gjykata Kushtetuese i njëjti do të shkojë për dekretim tek presidentja. Nuk pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të shpejtë përkundër faktit që përcaktohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese se Gjykata duhet që të vendos për këto raste brenda 60 ditëve. Në bazë të këtyre llogaritjeve nuk besoj se mund të ketë rezultate nga Byroja gjatë këtij viti”, tha ai.
Preteni: Konfiskimin e pasurisë ka mundur ta bënte Agjencia Kundër Korrupsionit
Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se nga përvoja e tij në formimin e një institucioni të këtillë (ai ka qenë drejtori i parë i AKK-së) shpreson që nuk do të shkojnë edhe dy vite deri në formimin e Byrosë.
Ai tha se qëndrimi i më hershëm i tij ka qenë që nuk ka pasur nevojë që të formohet një institucion i ri, por konfiskimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila është funksionale qe 15 vjet.
“Prej viti 2021 deri vitin 2023, gati dy vite është iniciativa prej nismës së parë kur ka kaluar në qeveri ligji, e më pastaj edhe në Kuvend në leximin e parë, tash i dyti; edhe uroj që të mos kaloj edhe dy vite të tjera deri në funksionalizimin e saj. Qëndrimi im fillestar ka qenë që më mirë kishte qenë që një pjesë të punës ose të mos formohet një institucion i ri po këto aktivitete, këtë punë, konfiskimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit e cila tani është funksionale tash e 15 vjet”, tha ai.
Ai tha se kjo Byro është duke shkuar një hap më shumë dhe cak i saj nuk janë vetëm zyrtarët e lartë, por secili nga zyrtarët që janë në detyrë nga viti 2008 dhe që kanë përfunduar mandatin ose që nuk është në detyrë në 10 vitet e fundit.
“Sidoqoftë Byroja po shkon në një hap më shumë nuk po i përcakton vetëm zyrtarët e lartë, po secilin nga zyrtarët që janë në detyrë nga viti 2008 dhe që kanë përfunduar mandatin ose që nuk është në detyrë në 10 vitet e fundit”.
“Mendoj që faktori kohë nuk është duke shkuar në favor të kësaj. Për të formuar një institucion është shumë problem, sepse së pari për Byronë duhet që të gjendet lokacioni, pastaj të fillojnë të punësohen zyrtarët, të emërohet drejtori. Kështu që shkon një kohë e gjatë derisa të formohet një institucion. Pastaj vijnë ato barrierat të tjera që duhet të ketë shumë kujdes në përpilimin e legjislacionit sekondar që janë rregulloret edhe shikojmë që veprimet e Byrosë a do të bien ndesh më legjislacionin tjetër”, tha ai.
Damati: Ka pasur nevojë kruciale për krijimin e një mekanizmi si Byroja
E avokati Musa Damati vlerëson se Kosova ka pasur nevojë për krijimin e një mekanizmi të këtillë.
“Komisioni i Venecias në bazë të rekomandimeve të dhënë ka dhënë dritën e gjelbër për sa i përket fillimit të procedurave lidhur me konstituimin, krijimin e Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Mendoj se për Kosovën ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme një mekanizëm i tillë për të filtruar pasurinë e ligjshme dhe të paligjshme të krijuar ndër vite në Kosovë nga disa politikanë dhe disa biznesmen prominentë. Andaj edhe konsideroj që ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme si mekanizëm i tillë me bazë edhe tek personat civilë”, tha ai.
Ai tha se është e nevojshme që kjo Byro të krijohet pa ndikime politike e pa ngjyrime dhe prapavijë të caktuar të ndonjë subjekti politik.
“Çështja e interpretimeve Kushtetuese është e drejtë patjetër e çdo subjekti politik dhe subjekteve të tjera të përcaktuara që të dërgojnë çështje të ndryshme për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe i mbetet Gjykatës në baza profesionale që të shqyrtojë këto pretendime”.
“Nga ana tjetër, duhet të potencohet se pikërisht kur agjencitë vendore, mekanizmat vendorë dështojnë që ta kryejë punën e tyre konform mandatit që kanë, atëherë edhe lind nevoja për të kërkuar krijim të mekanizmave të tjerë, ashtu siç është vepruar në këtë rast, me rekomandimet e ofruara nga ana e Komisionit të Venecias për të konstituuar trupa sa më profesionalë në shqyrtimet e nevojshme”.
“Kruciale është që këto trupa të krijohen pa ndikime politike, duhet të krijohen pa ngjyrime dhe prapavijë të caktuar të ndonjë subjekti politik, duhet të jenë të krijuara vetëm mbi bazën profesionale dhe shqyrtimet të cilat duhet t’i bëjnë, të jenë pa tendenca”, tha ai.
/TV Arbëria