Ka hyrë sot në fuqi vendimi për dhënien e ndihmës financiare humanitare nga qeveria shqiptare, për mbështetjen e qeverisë turke, lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 6 shkurt 2023.
Me propozim të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Këshilli i Ministrave vendosi pak ditë më parë dhënien e ndihmës financiare humanitare, në shumën 1 000 000 euro për mbështetjen e qeverisë së Turqisë.
Për shumën në fjalë, ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, do t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 eurosh.
Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2023 dhe do të jetë ministria për Evropën dhe Punëve e Jashtme dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë që do të zbatojnë vendimin.
Ngjarja
Me datë 6 shkurt 2023 një tërmet i fuqishëm 7.8 ballë i shkallës Rihter goditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit. Tërmeti rrafshoi lagje të tëra dhe zgjati një minutë. Mbi 48 mijë persona kanë mbetur të vdekur, mijëra të plagosur, dhe qindar mijëra kanë mbetur pa shtëpi.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan në një konferencë në provincën jugore Osmaniye, deklaroi se ka nisur një skemë e përkohshme e mbështetjes me paga në 10 qytete, si dhe ndaloi pushimet nga puna për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset nga ndikimi financiar i tërmetit.
Ai u shpreh se brenda vitit do të jenë gati 200 mijë banesa të reja. Godinat që do të rindërtohen nuk do të jenë më shumë se tre ose katër kate, përveç katit përdhes.