Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Shtrenjtimi i tatimit në pronë, qytetarët me dy propozime për qeverinë

Shtrenjtimi i tatimit në pronë, qytetarët me dy propozime për qeverinë

Vendimi i Ministrisë së Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë po kundërshtohet nga qytetarët e vendit, ndonëse disa kërkojnë të falet tatimi deri në 200 euro për secilin tatimpagues.

Megjithatë ka edhe të tjerë tatimpagues që kërkojnë të pezullohet ky vendim nga ana e ministrisë.

Qytetari Hafiz Saraqi, ka thënë se shtrenjtimi i tatimit në pronë është i papërballueshëm për qytetarët e vendit. Për këtë ai tha se qeveria duhet t’i falë tatimin deri në 200 euro.

“Qeveria është më mirë t’i falë 200 euro, edhe t’i lënë njerëzit rehat, të i lënë me telashe të veta, me punë te veta…Është e papërballueshme për qytetarët, sepse populli nuk ka para. Këta e kanë lehtë(qeveria), nuk kanë me mendua asgjë, veç me u ul me pi kafe. I pashë ma herët duke pi kafe… Nga të sillesh ka lypës që kërkojnë lekë, kurse Qeveria ka mjaftueshëm dhe kjo është apsurde të dëgjojë ndokush dhe meqenëse unë i njoh, Qeverinë e kom njohur gjithë prej kur ka qenë Rugova tash i ndjeri”, tha Saraqiu.

Mexhid Jetullahu, qytetarë tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i falë deri 100 euro të tatimit.

Ai tha se kriza financiare ka prekur edhe Kosovën, dhe ngritja e çmimeve për tatim dhe produkte të tjera janë të papërballueshme për qytetarët.

“Jemi lodhur nga tatimet, nga çmimet, nga inflacioni dhe mezi po qëndrojmë në këmbë. Është trend botëror kjo kriza ekonomike, çmimet, rryma, shtrenjtimet e gjëra tjera. Mirëpo, tash me na e shtrenjtua edhe tatimin në pronë, po më duket marramendëse. Duhet ta fal njëherë 100 euro, por tatimi është tërë jetën, deri sa të jemi gjallë, kështu që ajo është njëfarë farzë dhe nuk jemi të kënaqur më atë veprim. Le të falë sa të donë, mirëpo tatimi është kryesori”, u shpreh Jetullahu.

Mirëpo, mendim të njëjtë nuk pati edhe qytetari nga Prishtina, Mustafë Ahmetzeka. Ai tha se Qeveria nuk ka të drejtë të falë asgjë, sepse një gjë e tillë nuk është e ligjshme. Sipas tij, ose duhet të pezullohet vendimi ose duhet të merren vendime më të arsyeshme, e të cilat janë në të mirë të qytetarëve.

“Qeveria nuk fal asgjë, dhe nuk është e ligjshme që të bëjë falje. Duhet të shkojë në mënyrën e procedurave ligjore. Sepse të falësh, si me fal? Kjo nuk shkon me të falur. Ose duhet të pezullohet vendimi e të merren vendime të arsyeshme ose duhet të behën pagesat tash pasi që e kanë vendosur”, potencoi Zekaj.

Qytetari nga Prishtina, Sheremeti, u shpreh se këto 100 euro duhet të ju falen njerëzve të cilët nuk qëndrojnë mirë me kushte ekonomikë dhe nuk kanë mundësi për pagim. Ndërkaq, ata të cilët kanë, duhet tu rritet edhe më shumë kjo tarifë. Por, gjithësesi, sipas tij është e detyrueshme që të paguhet tatimi në pronë, sepse ky obligim ju takon të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Varet se kujt po i falen, ata të cilët kanë duhet të ia shtojnë edhe më tepër, ndërsa ata që nuk kanë duhet të falen jo 100 por 200 euro. Sepse unë kam dëgjuar që të falen 100 euro, por është puna tek këta që nuk kanë, duhet të ia falin dhe jo atyre që kanë… Duhet të paguhet tatimi normal dhe për pronën që e ka duhet të paguajë, pse mos ta paguajë? Duhet të ia paguajë shtetit normal, e jo p.sh po dal unë i kam të gjitha të mirat dhe po iu iku atyre, jo, nuk bën sepse shteti nuk mbahet kështu… E për ata, duhet të ketë lëshime pak, nuk duhet të ua rritin fare. Atyre kategorive të cilët nuk kanë, duhet t’i lënë me çmimin e vjetër, ndërsa këta që kanë jo kaq, por akoma duhet të ua shtojnë”, tha Sheremeti.

Të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës është shqyrtuar propozim rezoluta e paraqitur nga LDK-ja për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, e cila kishte në përbërje tri pika kryesore.

Ndërsa, kuvendi ka vendosur që kjo rezolutë për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, ta bartë si pikë për votim në seancën e ardhshme. /TV Arbëria

Powered by WordPress