Rreth 966 mijë kërkesa për azil janë regjistruar në vitin 2022 në vendet e Bashkimit Evropian, Zvicër dhe Norvegji, një rekord që nga viti 2016 në kohën e krizës së refugjatëve, sipas të dhënave të publikuara sot nga Agjencia e BE-së për Azilin (AUEA).
“Këto aplikime, të paraqitura kryesisht nga sirianë dhe afganë, janë rritur më shumë se 50% krahasuar me vitin 2021, tregojnë këto të dhëna të përkohshme. Rritja është për shkak të pjesërisht heqjes së kufizimeve të lidhura me pandeminë Covid-19, por edhe situatave të konfliktit dhe pasigurisë ushqimore në të gjithë botën”, thotë agjencia.
“Këta azilkërkues i bashkohen katër milionë ukrainasve që ikën nga lufta dhe përfitojnë nga një status special i mbrojtjes së përkohshme në BE”, specifikon AUEA duke theksuar se kombinimi i të dyjave ka vënë sistemet pritëse kombëtare nën presion të konsiderueshëm, përcjell ATSh.
Në vitet 2015-2016, gjatë fluksit të refugjatëve në Evropë të shkaktuar veçanërisht nga ngërçi i konfliktit në Siri, numri i azilkërkuesve kishte arritur në 1,3 milionë (në vitin 2015) dhe 1,2 milionë (në vitin 2016), përcjell KosovaPress.
Kërkesat për azil të paraqitura nga të miturit e pashoqëruar arritën në 43 000 në vitin 2022, numri më i lartë që nga viti 2015.
Në përgjithësi, sirianët (132 000) dhe afganët (129 000) mbeten deri tani aplikantët kryesorë për mbrojtje, të ndjekur nga turqit (55 000).
Ukrainasit, të cilëve BE-ja vendosi në mars 2022 t’u japë statusin e mbrojtjes së përkohshme të posaçme, janë 28 000.
Rreth 17 mijë rusë bënë të njëjtën gjë. /TV Arbëria