Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ​Biden në Poloni: Kievi qëndron i fortë, NATO më e bashkuar se kurrë

​Biden në Poloni: Kievi qëndron i fortë, NATO më e bashkuar se kurrë

Presidenti Joe Biden tha në një fjalim në Poloni se një vit pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës, Kievi qëndron i fortë dhe NATO-ja është më e bashkuar se kurrë.

“Një vit më parë, bota ishte e shqetësuar për rënien e mundshme të Kievit. Unë mund të deklaroj: Kievi qëndron i fortë, Kievi qëndron krenar, qëndron i papërkulur dhe më e rëndësishmja, qëndron i lirë”, tha presidenti Biden në fjalimin që mbajti para Kështjellës Mbretërore të Varshavës.

Në fjalimin që mbajti një ditë pas një vizite dramatike në Kiev, presidenti Joe Biden siguroi Ukrainën dhe aleatët e NATO-s për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara.

“Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”, tha ai.

Presidenti Biden tha se “mbështetja për Ukrainën nuk do të ndalet, NATO-ja nuk do të përçahet dhe ne nuk do të lodhemi,” tha ai.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe nenit 5 është i fortë”, tha zoti Biden duke iu referuar parimit të NATO-s se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

“Çdo anëtar i NATO-s e di këtë. Edhe Rusia e di: një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve.”

Presidenti amerikan tha se presidenti rus, Vladimir Putin po përballet sot me demokraci më të forta.

“Kur Presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të hynin në Ukrainë, ai mendoi se ne nuk do të bënim asgjë. Ai ishte i gabuar”, tha zoti Biden.

Ai tha se Rusia po kryen mizori ndaj Ukrainës, duke i quajtur veprimet e Moskës “krime kundër njerëzimit”.

Presidenti rus Putin ka bërë shpesh fajtor perëndimin për luftën në Ukrainë. Ai bëri të njëjtën gjë të martën në fjalimin për gjendjen e vendit.

Presidenti Biden reagoi kundër këtyre akuzave duke thënë se “perëndimi nuk po bën komplot për të sulmuar Rusinë”, por po mbron demokracitë.

Zoti Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre do të shpallin më shumë sanksione kundër Rusisë këtë javë lidhur me agresionin ndaj që filloi gati një vit më parë.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një takim të nivelit të lartë të NATO-s vitin e ardhshëm, në 75 vjetorin e aleancës.

Një ditë pas një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë, prania e Biden në Varshavë përforcon mesazhin e përkushtimit amerikan ndaj krahut lindor të aleancës që ndodhet më pranë konfliktit dhe i dërgon një mesazh Moskës për unitetin perëndimor.

Pas pritjes në Pallatin Presidencial të Varshavës, Presidenti Biden dhe ai i Polonisë Andrzej Duda, mbajtën bisedime ku ritheksuan mbështetjen për Ukrainën dhe nevojën e ruajtjes së sigurisë në Evropë, në kushtet e agresionit rus.

“Siç i thashë presidentit Zelenskiy kur folëm dje në Kiev, mund të them me krenari se mbështetja jonë për Ukrainën mbetet e palëkundur”, tha zoti Biden.

Presidenti Biden e cilësoi marrëdhënien me Poloninë, kritike për Shtetet e Bashkuara dhe shprehu vlerësimin për bashkëpunimin dhe ndihmën e saj.

“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Poloninë dhe NATO-n ashtu siç NATO-ja ka nevojë për Shtetet e Bashkuara. Sepse me gjithë aftësinë tonë për të vepruar kudo tjetër në botë – dhe përgjegjësia jonë shtrihet përtej Evropës – nuk ka diskutim që ne duhet të kemi siguri në Evropë. Është aleanca e vetme më e rëndësishme, dhe do të thoja ndoshta aleanca më e rëndësishme në histori, jo vetëm në historinë moderne, por në histori”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Duda tha se vizita në Ukrainë e Presidentit Biden ishte “një shenjë e rëndësishme që bota e lirë nuk harron”, duke e quajtur atë një gjest “të guximshëm”.

“Ne (Polonia) po përpiqemi të jemi jo vetëm një vend siguria e të cilit garantohet nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, por edhe një vend që u sjell siguri të tjerëve”, tha zoti Duda.

Polonia ka kufirin më të gjatë të NATO-s me Ukrainën dhe ka qenë rruga kryesore për furnizimin me armë dhe daljen e refugjatëve.

Të mërkurën, Presidenti Biden do të konsultohet me zotin Duda dhe udhëheqës të tjerë të grupit të Bukureshtit, që përbëhet nga nëntë aleatët e krahut më lindor të NATO-s.

“Për të gjithë ne kjo është një vizitë simbolike jashtëzakonisht e rëndësishme këtu në rajon. Ne si polakë nuk e perceptojmë si një vizitë tek ne. Kjo është një vizitë në rajonin tonë. E kombinuar me vizitën në Kiev, është një sinjal shumë i fortë i përgjegjësisë që Shtetet e Bashkuara marrin vazhdimisht për sigurinë e Evropës dhe botës”, tha zoti Duda.

Vizita e Presidentit Biden vjen ndërsa agresioni rus i Ukrainës po shkon drejt një faze edhe më të ndërlikuar, ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë.

Lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.

“Luftimet janë ende të ndezura dhe si Ukraina ashtu edhe Rusia mendojnë se mund të triumfojnë ushtarakisht. Pra padyshim jemi larg fundit dhe situata në terren e tregon këtë”, thotë për Zërin e Amerikës, studiuesi Mathieu Droin i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Udhëtimi i Presidentit Biden përkoi me fjalimin e Presidentit Putin përpara përvjetorit të pushtimit dhe me sa duket synonte ta linte atë në hije. Vizita e tij në Ukrainë thotë eksperti Droin, e nxjerr udhëheqësin rus në dritë të keqe.

“Natyrisht për Vladimir Putinin, të kesh presidentin e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë vetëm disa ditë para përvjetorit (të luftës) është një sinjal shumë, shumë i keq”, thotë ai.

Vizita e Presidentit Biden u mirëprit nga polakët e zakonshëm dhe nga 2.5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë refugjatë nga konflikti, që tani jetojnë në Poloni. Shumë kërkojnë mbështetje më të guximshme perëndimore për Kievin, përfshirë furnizimin me avionë luftarakë, gjë që deri tani Shtetet e Bashkuara nuk e kanë premtuar.

 

Powered by WordPress