Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Orban: Evropa është indirekt e përfshirë në luftë me Rusinë

Orban: Evropa është indirekt e përfshirë në luftë me Rusinë

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se Evropa është e përfshirë “indirekt në luftë me Rusinë”, pasi disa vende evropiane zotohen të dërgojnë tanke luftarake për të ndihmuar Ukrainën që të luftojë pushtimin rus.

Orban, i cili u rizgjodh kryeministër në vitin 2022 për një mandat të katërt radhazi, përsëriti se të qenit anëtar i NATO-s është “jetike” për Hungarinë, por tha se qeveria e tij nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, e as nuk do të ndërpresë marrëdhëniet ekonomike me Moskën.

Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere. Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.

Tanku “Leopard 2” konsiderohet si një nga më të mirët në vendet perëndimore dhe rreth 20 vende aktualisht përdorin këtë tank. Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.

Më 9 shkurt, pas takimit me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, Orban tha se Budapesti “i përket kampit të paqes”.

Hungaria ka kritikuar vazhdimisht sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, dhe deri në një marrëveshje të arritur në dhjetor, bllokoi një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën. /TV Arbëria

Powered by WordPress