Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Mbyllet xhamia në Halabak të Podujevës pas incidentit të mbrëmshëm

Mbyllet xhamia në Halabak të Podujevës pas incidentit të mbrëmshëm

Xhamia në fshatin Halabak të Podujevës është mbyllur përkohësisht, pas një përleshje mes dy palësh, të cilët ishin pro dhe kundër hoxhës së ri në fshat, që u emërua nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Si rezultat i tensionimit të situatës, kjo xhami mbyllet përkohësisht, deri në një vendim tjetër nga ana e KBI-së Podujevë. Vendimi nxirret pas koordinimit edhe me Kryesinë e BIRK”, thuhet në vendimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës.

Tutje në vendim i kërkohet xhematit që faljen e namazeve përkohësisht ta bëjnë në xhamitë e tjera përreth.

“Ftojmë për unitet, falje e mirëkuptim!”, përfundon vendimi.

Hoxha i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, me të shkuar për herë të parë për të kryer ritet fetare, është tentuar të pengohet nga katër persona, pasi që nuk janë pajtuar me imamin e caktuar nga BIK-u.

Të njëjtit kanë tentuar që ta sulmojnë hoxhën, por ky i fundit është mbrojtur nga tre të tjerë, me njërin prej tyre që ka sulmuar me kondak të revoles njërin nga katër personat që tentonin të pengonin hoxhën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Grupi i tre personave që mbrojtën hoxhën gjenden në arrati, ndërsa në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur një fotroll e revoles.

I gjithë rasti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës. /TV Arbëria

Komunikata e plotë:

Komunikatë
Të nderuar!
Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë është i shqetësuar dhe e dënon incidentin e ndodhur mbrëmë afër xhamisë së fshatit Halabak.
Njoftojmë opinionin publik se ne më parë për atë xhami kishim lëshuar autorizim për kryerje të riteve fetare deri në një vendim i cili do të ishte unifikues për të gjithë banorët e atij fshati.
Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër.
Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim sa më unifikues.