Në kremtimin e përvjetorit të 15 të Pavarësisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje ka organizuar një mbrëmje festive për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të vendit tonë.
Në pritjen solemne morën pjesë ministra, deputetë, drejtues të ndryshëm të institucioneve të vendit, diplomatë, pjesëtarë të diasporës, përfaqësues të mediave, biznesit e shoqërisë civile që veprojnë në Bullgari.
Gjatë mbrëmjes, ambasadori Delfin Pllana përshëndeti me një fjalë rasti të pranishmit duke theksuar rëndësinë që ka 17 shkurti në konsolidimin e shtetit, si dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë të cilat dita ditës janë duke u intensifikuar.
Ceremonia e shënimit të 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës u përcoll me një program artistik në të cilin sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar nga pianistja Lejla Pula dhe flautistja Enkelejda Zajmi luajtën pjesë të njohura nga kompozitorë vendor dhe botëror.
Sipas një njoftimi të Ambasadës së Kosovës në Bullgari, pjesë e programit artistik ishte edhe repertoari i muzikës jazz i sjellë nga Sheki Hoxha dhe trumpetisti i njohur bullgar Ventsi Blagoev.
Gjatë ceremonisë të pranishmit kanë shijuar ekspozitën me veshjen tradicionale shqiptare të kreatores Tolinda Gojani-Asani dhe ekspozitën “Kosovo 15” të fotografit të njohur kosovar Arben Llapashtica./TV Arbëria