Vajzat e Kosovës, që janë pjesë e turneut miqësor “Turkish National Womens Cup Alanya 2023”, triumfuan në ndeshjen e tyre të parë kundër Kombëtares së Estonisë me rezultat 2:1.
Pavarësisht se pësuan një gol herët në minutën e 16′ nga Kubassova, vajzat tona nuk humbën përqendrimin dhe vazhduan të luajnë me shumë angazhim, raporton KosovaPress.
Ato hapën lojën dhe krijuan raste të shumta shënimi derisa në minutën e 33′, Elizabeta Ejupi barazoi shifrat në 1:1, gol ky me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, “Dardanet” nisën lojën me shumë fuqi dhe me sulme të shpeshta drejt portës estoneze. Kapitenia, Erëleta Mehmeti u dallua veçanërisht, pasi shënoi golin vendimtar në minutën e 67′, duke çuar Kosovën në epërsi 2:1.
Kosova krijoi edhe disa raste shënimi derisa ndeshja u përmbyll me rezultat të ngushtë 2:1.
Estonia provoi të bëjë presion, por nuk arriti të krijojë raste të mjaftueshme për të barazuar shifrat. Kjo fitore e rëndësishme është një stimulim për vajzat tona për ndeshjen e ardhshme.
Kosova do të zhvillojë ndeshjen e saj të dytë në këtë turne më 18 shkurt kundër Honkongut në orën 11:00 sipas kohës lokale (ora 9:00 me kohë të Kosovës).