Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Krasniqi: Studentët s’po shohin të ardhme në Kosovë, shkak mungesa e vizionit qeverisës

Krasniqi: Studentët s’po shohin të ardhme në Kosovë, shkak mungesa e vizionit qeverisës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në rastin e përvjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës ka thënë se “UP-ja që nga themelimi u kthye në kështjellë të dijes dhe rezistencës”.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar për rëndësinë që ka UP-ja për Kosovën, universitet që sot shënon 53-vjetorin.

”Sot festojmë 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, institucionit që formësoi identitetin kombëtar, shtroi rrugën akademike dhe zgjoi shpirtin liridashës të qytetarëve të Kosovës. UP-ja, që nga themelimi, u kthye në kështjellë të dijes e rezistencës, nga ku, historikisht, studentë e profesorë së bashku, artikuluan aspiratat tona kombëtare dhe projektuan rrugën e lirisë.

Kur jemi vetëm dy ditë larg nga festimi i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen e madhe për të gjitha gjeneratat e profesorëve, asistentëve, studentëve dhe stafit tjetër përbërës të UP-së, për kontributin e çmueshëm drejt përmbushjes së këtij ideali”.

Megjithatë Krasniqi, ka shprehur kritika ndaj qeverisë për mungesë vizioni, në trajtimin e studentëve për mundësi të kufizuara të punësimit.

“Fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë. Shkaqet tashmë janë të mirënjohura: mundësitë e kufizuara të punësimit, humbja e shpresës dhe mungesa e vizionit qeverisës.” /TV Arbëria