Blog Post

Arbëria TV > Kronikë e zezë > Grabitje me armë në barnatoren ‘Ad Pharm’ në Prizren, i mituri avullon qindra euro

Grabitje me armë në barnatoren ‘Ad Pharm’ në Prizren, i mituri avullon qindra euro

Barnatoret shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët arrijnë që herë të vetëm e herë në grup të vjedhin e të grabisin shumë të mëdha parash. Raste të tilla po krijojnë pasiguri dhe frikë për punëtorët, të cilët përballen me grabitësit që i kërcënojnë edhe me armë.

Kështu ka ndodhur edhe të dielën, në barnatoren “Ad Pharm” në fshatin Piranë të Prizrenit, ku një person i moshës së mitur ka arritur të grabis një shumë të të hollave. Burimet nga Prokuroria thonë se nën kërcënimin e armës, i dyshuari ka ‘avulluar’ 300 euro para të gatshme.

Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse kanë nisur hetimet që rezultuan me identifikimin e të dyshuarit. I mituri është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.

Sipas informacioneve të para, Policia ka zbuluar se i dyshuari për grabitje është nxitur nga një person tjetër, i cili është emër i njohur për organet e rendit, për shkak të dosjes së tij me vepra të ndryshme penale.

/TV Arbëria