Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Një objekt i paidentifikuar rrëzohet mbi Kanada

Një objekt i paidentifikuar rrëzohet mbi Kanada

Edhe një objekt i ri i paidentifikuar mbi hapësirën ajrore të Amerikës në Veriut është rrëzuar, ka konfirmuar kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ai tha se objekti i ri ka “shkelur hapësirën ajrore kanadeze” dhe u rrëzua në Jukon, në veriperëndim të Kanadasë.

Dy avionë kanadezë dhe amerikanë u përpoqën që ta gjurmonin objektin dhe sipas Trudeau, ai u rrëzua nga një avion luftarak amerikan i llojit F-22,ky është objekti i tretë që rrëzohet në Amerikën e Veriut në javën e fundit.

Ushtria amerikane fundjavën e kaluar shkatërroi një balonë kineze dhe të premten rrëzoi një objekt të paspecifikuar – në madhësinë e një makine të vogël – mbi Alaskë.

Treudeau konfirmoi se ai dha urdhër për rrëzimin e objektit dhe për këtë çështje ka biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden.

“Forcat kanadeze tani do të marrin mbetjet e objektit dhe do t’i analizojnë ato”, shkroi ai në Twitter.

Objekti i paidentifikuar fluturoi mbi Jukon në një lartësi prej 12.000 metrash dhe u identifikua të shtunën në orën 15:41, sipas kohës lokale, tha ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand.

Ajo tha se objekti ishte i “vogël” dhe në formë “cilindrike”, por shtoi se ekipet ende nuk kanë marrë mbetjet e objektit që të kuptojnë më shumë detaje.

Ankand tha se objekti u rrëzua rreth 160 kilometra nga kufiri me SHBA-në, duke shtuar se ai paraqiste “një kërcënim për aviacionin civil”.

Ministrja kanadeze tha se objekti i ri i rrëzuar duket se ishte më i vogël sesa ai i rrëzuar në Karolinën e Jugut të shtunën e kaluar – referencë për balonën gjigante kineze, që dyshohet se po përdorej për spiunazh dhe që është vlerësuar se ishte 60 metra e gjatë.

Shtëpia e Bardhë tha se objekti është gjurmuar dhe monitoruar “në 24 orët e fundit”.

“Për shkak të kujdesit dhe me rekomandimin e ushtarakëve të tyre, presidenti Biden dhe kryeministri Trudeau autorizuan që ai të rrëzohej”, u tha në deklaratë.

“Liderët diskutuan për rëndësinë e marrjes së mbetjeve të objektit në mënyrë që të kuptohen më shumë detaje lidhur me qëllimin dhe origjinën e tij”.

Duke dhënë më shumë detaje për këtë mision, Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se dy avionë F-22 u nisën nga një bazë ushtarake në Alaskë dhe se objekti u rrëzua nga një raketë e llojit AIM 9X.

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, shtoi se Byroja Federale e Hetimit (FBI) do të “punojë ngushtë” me Policinë kanadeze për këtë çështje.

Po ashtu të shtunën, në një ngjarje të ndarë, ushtria amerikane ngriti avionët luftarakë mbi Montana dhe një pjesë e hapësirës ajrore u mbyll. Por, më pas doli të jetë se kishte pasur një problem në radar dhe nuk kishte asnjë të pazakontë në hapësirën ajrore.

/TV Arbëria

Powered by WordPress