Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kuvendi miraton Projektligjin për byronë

Kuvendi miraton Projektligjin për byronë

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së bashku me 33 amendamente shtesë. Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i dhanë edhe deputetët opozitarë të LDK-së. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha ky projektligj përmban gjitha shqetësimet që janë ngritur gjatë miratimit në lexim të parë.

“Në projektligj janë adresuar çështjet që disa deputetë i kanë ngritur si shqetësime në seancën e parë kur është diskutuar, pastaj edhe në momentin kur është miratuar në lexim të parë. Janë rregulluar disa nga përkufizimet si palët e treta, përkatësisht palët me interes juridik, po ashtu janë hequr nga drafti personat e ekspozuar politikisht si dhe familjarët e personave zyrtar të cilat janë përfshirë ose integruar në nocionin palët e treta. Tek mbikëqyrja e Byrosë në amendamente është paraparë një mekanizëm tërësisht i pavarur me përfaqësues të institucioneve të pavarura të kategorisë kushtetuese dhe ligjore, siç janë një gjyqtar i Gjykatës Supreme, kryesues, pastaj anëtarë: Auditori i Përgjithshëm, drejtori i Agjencisë për parandalimin e korrupsionit, një zëvendës i Avokatit të Popullit, si dhe drejtori i njësisë së inteligjencës financiare”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se byroja le të bëhet, por jo në kurriz të politizimit.

“Pavarësisht të gjithave, këtij projektligji t’ia jep mbështetjen pas miratimit të Venecias. Pra do të votojmë për. Mbështetja me votë sidoqoftë nuk do të thotë se nuk kemi vërejtje dhe pyetje. Drafti që po e votojmë sot fatmirësisht ndryshon nga drafti kundër kushtetues që u votua në korrik të vitit 2022, por megjithatë ka paqartësi…Byroja le të bëhet, le të konfiskojë mijëra dhe miliona, pasi hajnisë asnjë qytetarë s’ia ka pasur hak dhe as sistemit të ngathtë të drejtësisë, por jo në kurriz të politizimit”, tha ajo.

Kurse, kundër u shpreh Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit, Hajdar Beqa, i cili tha se i njëjti është antikushtetues.

“Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në grupin punues, me arsye se konsiderojnë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën. Duke pretenduar të aplikohet konfiskimi përmes procedurës civile, zbatu hetim nga një agjenci jashtë sistemit të drejtësisë do të cenohet në esencë liritë dhe të drejtat e garantuar me kushtetutë”, tha ai.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i projektligjit nuk është që të goditet ndonjë zyrtarë publikë, por vetëm pasuria e pajustifikueshme e cilido zyrtari.

“Nuk është qëllimi që të goditet një zyrtar, por qëllimi është që të luftohet pasuria e pajustifikueshme e kujdo qoftë zyrtari”, tha ajo.

Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. /TV Arbëria

Powered by WordPress