Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se plani i Bashkimit Evropian për dialogun nuk e ka njohjen reciproke, pasi ai nuk është marrëveshje përfundimtare, por vetëm kornizë për marrëveshje bazike. Kurti theksoi se ky propozim është në favor të Kosovës, pasi nuk e ka Asociacionin as parakusht, as në qendër të saj.
Në seancën e sotme të Kuvendit, kreu qeveritar, tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e cila përfshinë edhe njohjen reciproke kërkon një proces të gjatë negociator.
Kurti: Propozimi i BE-së për dialogun është vetëm marrëveshje bazë, jo përfundimtare
“Është e vërtet që ka paragrafë dhe fjali të tëra që merren nga modeli i dy gjermanive. Është sërish veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje finale ligjërisht obligueshme çfarë na nevojitet neve. Por në anën tjetër duhet të kuptojmë një gjë se nuk ka pasur mundësi që të vjen nga Brukseli, Berlini, Parisi dhe të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme, pasi do shumë proces të thellë negociator, të thellë dhe gjatë. Andaj emisarët evropian nuk na kanë sjell një dokument në stilin merre ose lërë, andaj s’kanë mundur të sjellin propozimin për marrëveshje finale, por kanë sjellur propozimin për marrëveshje bazë ose le të themi për një kornizë…Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë, kjo nuk është finale”, tha ai.
Ai dha detaje edhe për preambulën e planit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti: Në preambulë ka referencë për pakicat kombëtare
“Në kuadër të preambulës, i ka pesë fjali, është edhe trashëgimia e së kaluarës. Duhet kuptuar nuk janë as vetëm dy faqe taman. Është tekst i përgjithshëm e i shkurtër. Kur thuhet në anglisht, ‘legacy of paste’, trashëgimia e së kaluarës, do shumë punë e definim të asaj për të adresuar. Ne në këtë kuptim jemi fillim të fillimit. Në preambulë ka referencë për pakicat kombëtare, por çfarë do të bëhet me këtë togfjalësh varet nga zhvillimet politike e procesi i mëtutjeshëm negociator. Ajo çfarë kam thënë nga shtatori, ky propozim paraqet bazë të mirë për diskutim të mëtutjeshëm, e platformë solide për të ecur para. Se kam refuzuar propozimin, por kam thënë se diskutime e mëtutjeshëm mbi këtë bazë do të mund të bëjmë”, tha ai.
Teksa shtoi se po bëhet betejë e ashpër diplomatike nga Serbia që asociacioni të jenë në qendër të marrëveshjes ose si parakusht i saj.
Kurti: Propozimi evropian është në favorin tonë, nuk e ka Asociacionin as parakusht, as në qendër
“Nuk mund të përzgjedhësh një nga 33 e ta vendosësh njërën para tjetrës. Po zhvillohet një betejë e madhe politike e diplomatike. Beteja tjetër në kuadër të propozimit të BE-së, ai neni i dhjetë, që i referohet marrëveshjeve të mëhershme, me një lloj s’forcimi e insistimi të nxirret gati preambulë. E papranueshme është për ne. Te propozimi evropian, franko-gjerman, është e fundit në nenin 10. Beogradi po bën betejën ndoshta më të madhe që nenin 10, fjalinë e fundit të tij ta nxjerrë preambulë. Që Asociacioni i komunave me shumicë serbe i nënshkruar para 10 vjetëve, të jetë parakusht ose në qendër. Për ne nuk është i pranueshëm as si parakusht as qendër. Për këtë propozimi evropian është shumë në favor tonë, pasi nuk e ka as parakusht as në qendër”, tha Kurti.
Kryeministri iu tha opozitarëve se është i hapur për të diskutuar edhe më shumë gjëra për planin e BE-së për dialogun, porse nuk mund të bëjë në seancë të zakonshme.
Ai tha mund të takojë liderët e partive në çdo moment, apo të organizohet një seancë me dyer të mbyllura.
Kurti: Procesi i dialogut duhet të jetë transparent por edhe konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty
“Besoni mezi nuk presin të na akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent por edhe konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty”, tha Kurti. /TV Arbëria