Ndahet nga jeta Odisea Çipa. Trajneri 58-vjeçar nga Saranda, i cili drejtonte aktualisht skuadrën e Butrintit, ka mbyllur sytë mëngjesin e sotëm, pas një arresti kardiak.
Mësohet se Çipa ishte ndjerë keq edhe në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Butrintit e Memaliajt, teksa mëngjesin e sotëm u njoftua ndarja e tij nga jeta.
Odisea Çipa kishte marrë drejtimin e Butrintit verën e 2022-shit, ndërsa në të shkuarën ka përfaqësuar sarandiotët edhe si futbollist, raporton TV Arbëria.
Mesazhi i kreut të FSHF-së për Odisea Çipën:
Ndarja e parakohshme nga jeta e Odisea Çipës, trajnerit të ekipit Butrinti të Sarandës, na ka trishtuar të gjithëve.
Humbëm një njeri që i ka dhënë shumë futbollit, si futbollist, por edhe si trajner ndër vite. Ndarja e tij nga jeta ka lënë një boshllëk të madh në komunitetin e futbollit, veçanërisht atë të Sarandës.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve. Të prehesh në paqe Odisea!
Do të na mungosh të gjithëve!