Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, sot ka bërë të ditur se gëzohet që Kosova po i afrohet ratifikimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.
“Pas miratimit të projektligjeve nga Qeveria, shpresoj në një ratifikim të shpejtë nga Kuvendi.”, ka shkruar ai në Twitter, raporton TV Arbëria.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, dje ka miratuar tri projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ekzekutivi i ka dhënë dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, po ashtu ratifikuan edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.