Ekipet e shpëtimit vijojnë intensivisht kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë, pas dy tërmeteve të fuqishme të së hënës. Më shumë se 12,000 persona janë konfirmuar të vdekur, megjithatë autoritetet druhen se numri i viktimave mund të vijojë të rritet.
Zonat e prekura nga tërmeti u vizituan të mërkurën nga presidenti turk President Recep Tayyip. Në Turqi, numri i të vdekurve ka shkuar në të paktën 9,057, ndërsa të plagosurit janë mbi 53,000. Në Siri të vrarët janë 2,600, ndërsa të plagosurit mbi 4,000.
Përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë vijuan edhe në natën e dytë nën temperatura të acarta. Ekipet e shpëtimit janë në luftë më kohën. Ekipe nga të paktën 70 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmeti.
Në Siri mbërritja e ndihmës ndërkombëtare është më e vështirë, për shkak të aksesit të limituar, si pasojë e rrugëve të dëmtuara. Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ra pranë Gaziantep, në orët e para të hënës. Ai u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm në mesditë, me magnitudë 7.5.
Bashkimi Europian do të mbajë një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për Turqinë dhe Sirinë që u goditën nga një tërmet i fuqishëm. Lajmin e ka bërë të ditur Ursula von der Leyen, e cila pas një telefonate me Kryeministrin suedez bëri të ditur se konferenca e donatorëve do të mbahet në muajin Mars në Bruksel. Von der Leyen theksoi se prioriteti për momentin është shpëtimi i sa më shumë jetëve të njerëzve që ndodhen të bllokuar nën rrënoja.
Bashkimi Europian është zotuar se Turqisë do t’i sigurojë 3 milionë Euro, ndërsa Siria do të marrë 3.5 milionë Euro të tjera ndihmë urgjente. Edhe shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë, kanë dërguar ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi për të nxjerrë të mbijetuarit nga gërmadhat.